INICIATIVË NË PARLAMENT: Propozohet ulja e pagave të funksionarëve deri në 80%

Shkup, 4 shkurt – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka dorëzuar një iniciativë ligjore për uljen drastike të pagave të funksionarëve publikë, duke propozuar ndryshime në nenin 11 të Ligjit për pagat dhe kompensimet e deputetëve në Parlament dhe të personave të tjerë të zgjedhur e të emëruar në shtet. Sipas propozimit, baza për llogaritjen e pagave të deputetëve dhe funksionarëve të tjerë do të jetë paga minimale në Republikë, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës. Njëkohësisht, koeficientët për përcaktimin e pagave dhe kompensimeve do të ulen me 40%, çka në praktikë nënkupton një reduktim të përgjithshëm deri në 80% të pagave të funksionarëve.

LSM thekson se iniciativa mbështetet në parimet kushtetuese të barazisë, mosdiskriminimit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët, si dhe në standardet ndërkombëtare të punës, Kartën Sociale Evropiane, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare. Sipas sindikatës, që qytetarët të jenë realisht të barabartë para ligjit, baza fillestare për ndërtimin e pagave në shtet duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, përkatësisht paga minimale.

Në arsyetimin e saj, LSM nënvizon se analizat e Qeverisë dhe të punëdhënësve kanë vlerësuar se paga minimale është e mjaftueshme për të mbuluar nevojat elementare të qytetarëve. Për këtë arsye, sindikata kërkon trajtim të barabartë për të gjitha pagat në vend dhe ndryshimin e nenit 11 të ligjit përkatës, në mënyrë që paga minimale të bëhet bazë për llogaritjen e pagave të funksionarëve.

Sindikatat rikujtojnë gjithashtu se në vitin 2023, së bashku me Qeverinë, nënshkruan Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik, e cila parashihte që pagat e të punësuarve në sektorin publik të ndërtoheshin mbi bazën e pagës mesatare, duke u mbështetur në zgjidhjen ligjore për pagat e funksionarëve. Megjithatë, sipas LSM-së, Qeveria nuk e ka respektuar këtë marrëveshje dhe madje ka kërkuar shfuqizimin e të drejtave të parashikuara për punëtorët.

Me këtë iniciativë, Lidhja e Sindikatave thotë se synon vendosjen e një sistemi më të drejtë dhe të barabartë pagash në shtet, duke theksuar se barazia reale fillon nga mënyra e ndërtimit të të ardhurave për të gjithë qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit