Hap i madh strategjik: “Replek” regjistron ilaçin e parë në Mbretërinë e Bashkuar

Kompania farmaceutike “Replek” ka shënuar një sukses të madh strategjik duke depërtuar për herë të parë në tregun shumë rigoroz të Mbretërisë së Bashkuar. Me regjistrimin e produktit Rekonazol, një ilaç për trajtimin e sëmundjeve dermatologjike, “Replek” hedh hapin e parë të rëndësishëm drejt pranisë së qëndrueshme në tregun britanik.
Miratimi për Rekonazol (ketokonazol) 2% shampo është dhënë nga Agjencia Britanike për Medikamente dhe Produkte Shëndetësore (MHRA) – një nga autoritetet rregullatore më të rrepta në botë për vlerësimin e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të barnave. Ky miratim konfirmon se produkti, si dhe proceset prodhuese të “Replek”, përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare rregullatore.
Regjistrimi vlen për një periudhë prej pesë vitesh, ndërsa eksporti i parë drejt Mbretërisë së Bashkuar do të realizohet në fund të këtij muaji, përmes një partneri lokal. Rekonazol është i dedikuar për parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve të shkaktuara nga kërpudha Malassezia, përfshirë zbokthin, dermatitin seborrheik dhe tinea versicolor.
“Regjistrimi i Rekonazolit në Mbretërinë e Bashkuar është një moment kyç për kompaninë dhe një dëshmi e qartë e cilësisë, ekspertizës dhe pjekurisë së proceseve tona prodhuese dhe të kontrollit. ‘Replek’ disponon ekipe zhvillimore, rregullatore dhe të kontrollit të cilësisë të afta të përgatisin dokumentacion teknik, të dhëna klinike dhe sisteme cilësie të krahasueshme me standardet ndërkombëtare. Kalimi me sukses i vlerësimit rigoroz të MHRA-s forcon më tej besimin e pacientëve dhe partnerëve tanë. Ky regjistrim është pjesë e strategjisë sonë afatgjatë për rritje të qëndrueshme dhe forcim të pranisë në tregjet perëndimore të zhvilluara”, deklaroi Dushan Pecovski, drejtor i përgjithshëm i “Replek”.
Tregu britanik konsiderohet një nga tregjet më të rëndësishme globale, me kërkesa të qarta rregullatore dhe fuqi të lartë blerëse. Regjistrimi i një produkti mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar hap derën edhe për tregje të tjera të zhvilluara të Evropës Perëndimore, duke shërbyer si referencë e fortë për bashkëpunime të reja dhe zgjerim të portofolit ndërkombëtar.
Së fundmi, “Replek” ka fituar për herë të pestë certifikatën EU GMP, duke konfirmuar përputhshmërinë me standardet më të larta evropiane për praktikë të mirë prodhimi, cilësi dhe siguri. Këto standarde reflektohen edhe në rezultatet financiare të kompanisë për vitin 2025, ku është shënuar rritje e profitabilitetit prej 39% krahasuar me vitin 2024.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit