Kreu i opozitës, Venko Filipçe, ka kritikuar masën e Qeverisë për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, duke e cilësuar atë si të vonuar dhe të pamjaftueshme për të ndikuar realisht në uljen e çmimeve.
Sipas tij, çmimet e karburanteve kanë qenë në rritje për tre javë me radhë, ku vetëm dizeli është shtrenjtuar për rreth 21 denarë. Ai paralajmëroi se pritet edhe një rritje e re, duke shtuar se qytetarët nuk do të ndiejnë ulje të çmimeve, por përkundrazi, rritje shtesë prej 4 deri në 6 denarë për litër.
“Bëhet fjalë për një masë tërësisht të vonuar që nuk do të japë efekt real për qytetarët”, theksoi Filipçe.
Ai vlerësoi se rritjet e deritanishme të çmimeve u kanë kushtuar qytetarëve rreth 4,5 milionë euro më shumë që nga fillimi i krizës, duke akuzuar Qeverinë për reagim të vonuar.
Sipas Filipçes, mosreagimi në kohë ka ndikuar në rritjen zinxhirore të çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore. Ai theksoi se çmimet e vajit të gatimit, vezëve, frutave dhe perimeve tashmë janë rritur ndjeshëm, ndërsa nuk ka masa konkrete për uljen e tyre.
“Opozita vlerëson se pasi çmimet rriten, ato rrallëherë kthehen në nivelet e mëparshme”, tha ai.
Filipçe akuzoi Qeverinë se po shmang masa thelbësore, si ulja e akcizave dhe TVSH-së për ushqimet, të cilat sipas tij do të kishin efekt më të drejtpërdrejtë në standardin e jetesës.
Ai gjithashtu propozoi një paketë masash që përfshin:
- uljen e TVSH-së për karburantet në 5%,
- uljen e akcizës për 4 denarë për litër,
- TVSH 0% për produktet bazë ushqimore,
- përgjysmimin e çmimeve të taksave rrugore.
Sipas tij, vetëm heqja e TVSH-së për ushqimet do të ulte çmimet e rreth 250 produkteve dhe do t’u sillte qytetarëve kursime mbi 2.000 denarë.
Filipçe kërkoi gjithashtu paketa mbështetëse për kategoritë më të rrezikuara, bujqit dhe bizneset, duke theksuar se në të kaluarën, gjatë krizave, janë ndërmarrë masa më të gjera dhe më efektive.
Në fund, ai akuzoi Qeverinë se po favorizon interesa të caktuara biznesi në dëm të qytetarëve, duke theksuar se nevojiten masa urgjente për mbrojtjen e standardit jetësor./Ora24.tv



