Editorial / Autoshkolla – Ligji shumë i qartë, testi për licencë për instruktorë duhet të ofrohet edhe në gjuhën shqipe

Shkup, 19 shkurt – Implementimi i gjuhës shqipe është bërë problem edhe në marrjen e licencës për instruktor të autoshkollave. Pasi më herët u problematizua çështja e gjuhës shqipe gjatë marrjes së provimit të jurispodencës, tani duket se i njëjti problem është shfaqur edhe në testimin e instruktorëve.

Ligji ka kontradikta dhe absurditete, sepse në njërën anë lejohet që kandidatët për shofer të dëgjojnë ligjërata në gjuhën shqipe dhe të japin testin në gjuhën shqipe, ndërsa në anën tjetër instruktorët shqiptarë nuk kanë të drejtë të japin provimin në shqip, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ministria e Punëve të Brendshme ditë më parë ka njoftuar kandidatët për ushtrimin e veprimtarisë si ligjërues dhe shofer-instruktor nëpër autoshkolla, kontrollor, pyetës sipas programit mësimor të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit (pjesa teorike) dhe pyetës sipas programit mësimor të drejtimit të mjetit (pjesa praktike) në qendër të provimit, se dhënia e provimit profesional për aftësim për punë me qëllim të pajisjes me licencë për punë do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë.

Edhe pse nuk është definuar saktë nga ana e MPB-së, nënkuptohet që provimi do të bëhet në gjuhën maqedonase, edhe pse shumica e këtyre kontrollorëve që janë shqiptarë, do të duhet të trajnojnë kandidatë shqiptarë.

Instruktorët të autoshkollave shqiptare kërkojnë me të drejtë që testi profesional për marrjen e licencës për instruktorë të auto-shkollave të jepet edhe në gjuhën shqipe përveç asaj maqedonase. MPB heshtë dhe nuk jep përgjigje, dhe kjo heshtje duket se i konvenon, duke vazhduar të injorojë gjuhën shqipe.

Në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, testi për licencë për instruktorë duhet të ofrohet edhe në gjuhën shqipe ngjashëm siç jepen çdo test tjetër, sepse ligji është shumë i qartë në këtë aspekt, shkruan “Zhurnal.mk”.

Fatkeqësisht, kandidatët shqiptarë për marrjen e licencave po përballen me padrejtësi dhe trajtim të pabarabartë dhe në këtë kontekst nevojitet zgjidhje urgjente para mbajtjes së testit dhe marrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kjo e drejtë ligjore të respektohet pa shtyrje të mëtejshme.

Ndalimi i dhënies së këtij provimi në gjuhën shqipe nuk është më një çështje administrative, por kjo tashmë përbën një pengesë për zbatimin e ligjit dhe hap rrugën për përgjegjësi.

Provimi i cili duhet të jetë nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mosmarrja e masave për të siguruar që provimi të mund të jepet në gjuhën shqipe përbën një dështim të vetëdijshëm për të përmbushur një detyrim ligjor.

Kjo krijon një bazë për përgjegjësi për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, dhe kryerje të pakujdesshme të detyrës zyrtare, kur një zyrtar, përmes mosveprimit ose refuzimit, u mohon qytetarëve një të drejtë të garantuar ligjërisht.

Përveç kësaj, kufizimi i përdorimit të gjuhës shqipe në procedurat shtetërore përbën shkelje të së drejtës për përdorimin e gjuhës, dhe relativizimi publik i kësaj të drejte krijon një atmosferë përjashtimi dhe përmban elemente të nxitjes së intolerancës në baza ndëretnike, gjë që sanksionohet nga Kodi Penal.

Gjithashtu nevojitet që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të kryejë menjëherë një inspektim dhe të kërkojë që provimi të bëhet edhe në gjuhën shqipe, shkruan “Zhurnal.mk”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit