Zjarri në Strasbourg rrezikon jetën e dy vajzave shqiptare nga Kosova, familjarët arrijnë t’i shpëtojnë.
Një incident zjarri në një ndërtesë banimi në Strasbourg të Francës rrezikoi jetën e disa banorëve, ndërsa dy vajza të reja arritën të shpëtohen nga banesa e përfshirë nga tymi dhe flakët, transmeton albinfo.ch.
Referuae autoriteteve franceze, zjarri ka shpërthyer në një apartament në katin e poshtëm të ndërtesës, ndërsa dyshohet se është shkaktuar qëllimisht nga banorja e asaj banese, e cila më pas është larguar nga vendngjarja. Hetimet paraprake kanë çuar në arrestimin e saj.
Si pasojë e përhapjes së shpejtë të tymit dhe flakëve, rreziku u shtri edhe në apartamentin e një familjeje me origjinë nga Gjilani, ku në momentin e incidentit ndodheshin dy vajza, të moshës 13 dhe 21 vjeç, transmeton tutje albinfo.ch.
Prindërit e tyre nuk ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit të zjarrit. Pas njoftimit për incidentin, babai i vajzave është kthyer në ndërtesë dhe ka arritur t’i nxjerrë ato nga banesa para se situata të përkeqësohej.
Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, policia dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilat kanë ofruar ndihmë mjekësore për familjarët, pasi kishin vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit. Sipas informacioneve zyrtare, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar.
Autoritetet franceze kanë konfirmuar se e dyshuara për zjarrvënie është ndaluar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim. Gjatë kontrollit në banesën e saj, raportohet se janë gjetur edhe shtatë mace të ngordhura nga zjarri, një detaj tronditës që ka thelluar dyshimet e policisë dhe prokurorisë franceze. /Albinfo.ch



