Me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi, Komuna e Tetovës dhe Qendra Nacionale për Konservim janë zotuar për rindërtimin e Kullës së Sahatit që ekzistonte në periudhën osmane në qytet. Për të ndërtuar këtë objekt, Komuna e Tetovës do të pranojë donacion nga Komuna e Konjas në Turqi, transmeton Portalb.mk.
“Sot, nga një aspekt formal ligjor, nënshkruam memorandum, i cili fillon bashkëpunimin institucional drejt kthimit të këtij objekti të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore në Tetovë. Gjithashtu, paraprakisht janë bërë disa kontakte me institucione të rëndësishme në vend dhe jashtë vendit. Në këtë drejtim, janë siguruar të gjitha burimet financiare, përkatësisht një donacion nga Komuna e Konjas në Turqi në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Tetovës me Unionin e Komunave Turke në Botë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Qendra Nacionale për Konservim, si institucion kompetent, do të fillojë të gjitha punët e nevojshme përgatitore, duke filluar me valorizimin e trashëgimisë kulturore, kontrollin e projektit aktual dhe rishikimin e të gjithë dokumentacionit.
“Në fund të vitit 2005 dhe fillim të vitit 2006, filluan gërmimet arkeologjike. Kjo është një procedurë e nevojshme ligjore dhe profesionale kur fillon një projekt restaurimi. Projekti përfundoi në vitin 2016. U bënë vërejtje të caktuara dhe puna u ndal aty. Kulla e Sahatit klasifikohet si një aset kulturor i paluajtshëm me natyrë profane në periudhën osmane. Ajo u ndërtua, sipas të dhënave në dispozicion, midis viteve 1566 dhe 1576. Përmendet për herë të parë në vitin 1608. Në shekullin e 17-të, Tetova u godit nga një zjarr i madh dhe dokumentacioni për ndërtesat e ndërtuara në qytet deri atëherë u humb plotësisht. Kemi një fotografi nga viti 1912, tani po kërkojmë të dhëna relevante, në mënyrë që të marrim një pamje më të besueshme. Kullat e Sahatit janë ndërtesa të parafabrikuara për atë periudhë, nuk kemi shumë shpikje këtu. Por shqyrtimi i të gjithë dokumentacionit do të na japë informacion relevant”, vuri në dukje Jordanovski.
Sipas informacionit nga drejtori Jordanovski, në vitin 1822, Rexhep Pasha e restauroi Kullën e Sahatit dhe ajo ndërtesë ekzistoi për 110 vitet e ardhshme deri në vitin 1933. Në vitin 1933, për shkak të një plani të ri urbanistik, komuna e atëhershme vendosi të ndërtonte një rrugë në atë vend dhe ta largonte ndërtesën, e cila tashmë ishte në gjendje të rrënuar.
Kujtojmë që Ura e Kazazëve u rikonstruua në vitin 2018 pas shumë zvarritjeve.
Ndërkaq ndërtimin e Kullës së Sahatit e konfirmoi edhe kryetari i Komunës së Konjës, Ibrahim Alltaj më 29 janar 2025 gjatë një vizite në Tetovë.
Përndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur shumë premtime për ndërtimin e Sahat Kullës në vendin ku ka qenë më parë, në rrugën që të çon deti te Biblioteka e vjetër e qytetit, por pa rezultate në terren.






