Çmimi fillestar i veturës zyrtare “AUDI A6” do të përcaktohet nga komisioni vlerësues

Minimizimi i shpenzimeve të Kryetarit dhe të administratës së Komunës së Strugës është një prioritet i qartë i Kryetarit Mendi Qyra. Shitja e veturës zyrtare dhe dhurimi i pagës së tij nuk ishin slogane zgjedhore, por angazhime konkrete që po zbatohen që nga dita e parë e mandatit.

 

Vendimi për shitjen e veturës zyrtare ishte vendimi i parë që Kryetari Qyra e nënshkroi publikisht, në prani të mediave. Në përputhje me procedurat ligjore, vendimi iu dorëzua Këshillit të Komunës së Strugës dhe mori miratim për zbatim.

 

Komuna e Strugës nuk planifikon blerjen e një veture zyrtare për Kryetarin. Siç është deklaruar publikisht, gjatë gjithë mandatit Kryetari do të shfrytëzojë veturën e tij private dhe të gjitha shpenzimet lidhur me përdorimin e saj do t’i mbulojë personalisht.

 

Hapi i radhës është formimi i komisionit vlerësues, pas së cilës vetura do të ofrohet në ankand publik, të hapur dhe transparent. Çmimi fillestar do të përcaktohet nga komisioni, duke garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.

 

Në vend të një veture luksoze, Komuna e Strugës do të blejë një furgon funksional, në shërbim të administratës komunale, klubeve sportive dhe aktiviteteve të qytetit.

 

Ky është dallimi mes praktikës së vjetër dhe qeverisjes së re.

Më pak luks për pushtetin, më shumë shërbim për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit