ASH: Deklarata e Bekim Salit, pranim i dështimit të Qeverisë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, i cili tha se “kultura shqiptare për momentin është e cunguar pjesërisht”. Sipas ASH-së, kjo është një deklaratë skandaloze dhe një pranim publik i dështimit të Qeverisë, ku Sali vetë është pjesë.

Në kumtesën e partisë thuhet se gjendja e mjerueshme e kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është artikuluar prej kohësh nga artistët, krijuesit dhe opozita shqiptare, ndërsa tani konfirmohet edhe nga vetë zyrtarët shqiptarë në pushtet. “Ky nuk është më opinion politik, por fakt i pranuar nga brenda Qeverisë”, thekson ASH.

Partia pyet hapur se cili është roli i VLEN-it në Qeveri: “A janë dekor politik? Të shantazhuar? Apo të pafuqishëm për të ndikuar në politikat shtetërore?”

Sipas Aleancës për Shqiptarët, është e papranueshme që zyrtarët shqiptarë në Qeveri të sillen si opozitë verbale, duke konstatuar probleme pa marrë përgjegjësi për zgjidhjen e tyre. “Deklaratat kritike nuk e zëvendësojnë veprimin politik dhe institucional”, thuhet në kumtesë.

ASH shton se edhe pas dy vitesh në pushtet, shqiptarët nuk kanë parë asnjë strategji serioze për kulturën, as investime dinjitoze dhe as mbrojtje të identitetit kulturor. “Në vend të rezultateve, kemi justifikime dhe deklarata vetëakuzuese”, thekson partia. Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi politike, duke theksuar se Qeveria nuk është vend për ankesa, por për vendimmarrje. “Kush nuk është i aftë të ndryshojë gjendjen, duhet të mbajë përgjegjësi ose të largohet”, thonë nga atje.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit