Arben Fetai: Konfiskimi i 40 tonëve kanabis, goditje serioze ndaj rrjeteve kriminale

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka përshëndetur aksionin e Policisë dhe Prokurorisë që çoi në konfiskimin e rreth 40 tonëve kanabis, duke e cilësuar atë si një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në vend.

Sipas Fetait, ky sekuestrim përbën një sinjal të qartë se Qeveria ka vendosur të godasë rrënjët e krimit dhe jo vetëm majat e tij. “Kur flasim për dhjetëra tonë drogë, nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për rrjete të tëra kriminale të ndërtuara me vite”, ka theksuar ai.

Zëvendëskryeministri vlerësoi aksionin si një mesazh të fortë se koha e paprekshmërisë po mbyllet dhe se shteti po vepron me vendosmëri kundër krimit të organizuar.

“Shteti e ka për detyrë të mbrojë shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e qytetarëve. Kushdo që është pasuruar duke shkatërruar jetë duhet të përballet me drejtësinë. Ky proces duhet të shkojë deri në fund”, ka deklaruar Fetai. (INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit