Në sezonin e pranverës paraqiten alergjitë për shkak të rritjeve të temperaturave dhe faktorëve të ndryshëm. Paraqitja e alergjive është me simptomatologji shumë të zgjeruar dhe alergjenët mund të depërtojnë në organizëm edhe me anë të ushqimit, thotë për TVM2 mjeku Sedat Lumani.
Ai thekson se simptomat e alergjisë janë lotim dhe kruarje e syve, rrjedhje e hundës, teshtitje, si dhe vështirësi në frymëmarrje.
“Jemi në sezonin e polenozës, temperaturat e larta mundësojnë që disa pemë, disa bimë, disa gjallesa, të cilat nuk kanë qenë në stinën e dimrit paraqiten tash dhe çdo materie e atillë që hyn në organizëm, për shkak të lulëzimit të disa drunjve, siç është shelgu, lajthia, ndër të parët që çelin, ato lëshojnë polenin e tyre në natyrë, me shpërndarjen e erës, vijnë në kontakt me sistemin respirator të njeriut dhe paraqitet alergjia në formë të teshtitjes, kruarjes, lotimit, rrjedhjes së hundës, vështirësitë në frymëmarrje, por edhe sindromi i kruarjes, urtikës sikur të digjemi me hithra.”, – deklaroi mjeku, Sedat Lumani.
Mjeku Sedat Lumani thekson se është shqetësuese që çdo vit shtohen raste të reja të pacientëve me alergji të ndryshme.
“Për fat të keq çdo vit kemi prej 10 deri në 15% të rasteve të reja në popullatë. Kjo ka mundësuar që me të madhe po shtohet numri i alergjisë, me të madhe shtohet reaksioni i alergjive ndaj këtyre antitrupthave, antigjeneve që i përmendëm. Faktori është se njerëzit janë hipersenzitivë, reagojnë më ashpër sesa dikur, edhe përdorimi i preparateve të ndryshme kimike që përdoren në bujqësi ose pemëtari mund të ndikojnë që organizmi mos t’i pranojë si të mira ato, por të reagojë me alergji.”, – theksoi mjeku, Sedat Lumani.
Mjeku Lumani rekomandon që në sezonin e pranverës të kenë kujdes më shumë pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike, sidomos ato me bronkite obstruktive, që të marrin terapinë e nevojshme, që të evitohen problemet që mund të shkaktojnë alergjitë pranverore.
Po ashtu thekson që personat që dyshojnë që u është shfaqur ndonjë alergji të konsultohen me mjek dhe jo të marrin kokë më vetë ilaçe që mund t’ua dëmtojnë organizmin.



