Opozita maqedonase akuzon Xhaferin për “shkelje të rregullave” të Kuvendit, ndërsa partia “E Majta” ka ngritur edhe padi penale për shkak të mosprocedimit të një nisme të saj për një referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe, bazuar në “propozimin francez”.
Por, akuzat e tilla janë hedhur poshtë nga BDI-ja, ndërsa Talat Xhaferi të mërkurën tha se pasardhësi i tij, Jovan Mitrevski, do të zgjidhet për kryetar të Kuvendit deri më 20 janar.
Megjithkëtë, deri në formimin e qeverisë së re, partitë politike duhet merren vesh edhe për kompletimin e përbërjes së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve edhe me një anëtar, të cilin e pretendon si opozita shqiptare, ashtu edhe partitë në pushtet.
Bazuar në dispozitat ligjore, në KSHZ me një anëtar duhet të jetë e përfaqësuar opozita shqiptare, por Aleanca për Shqiptarët që është pjesë e qeverisë, pretendon se ky vend i takon asaj pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte në opozitë.
Afrim Gashi nga partia Alternativa, që është pjesë e frontit opozitar, Lidhjes Evropiane për Ndryshim, tha se nëse anëtari i KSHZ-së nuk zgjidhet nga radhët e opozitës, atëherë do të ketë bojkot të punimeve të Kuvendit, por edhe masa të tjera përfshirë edhe bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 8 maj dhe konsiderohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, pasi përbërja e re parlamentare duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese që janë kushti kryesor për integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut./REL





