Pionieri i televizionit amerikan dhe mbreti i sitcoms, skenaristi, regjisori dhe producenti, Norman Lear ka vdekur në moshën 101-vjeçare, njoftoi familja e tij. Krijuesi, komeditë e të cilit revolucionarizuan ekranin e vogël në vitet 1970 dhe 1980, nuk u ndal gjatë karrierës së tij për të treguar “jetën reale të amerikanëve, jo idealin e një reviste”, theksojnë të afërmit e tij.
I njohur në SHBA për komeditë e tij të suksesshme si “The Jeffersons” dhe “All in the Family”, Norman Lear konsiderohej një pionier i televizionit amerikan, duke prekur tema të ndjeshme përmes të qeshurit.
Seriali i tij televiziv trajtonte racizmin, seksualitetin, pabarazitë apo edhe dallimet politike, duke u ofruar miliona familjeve amerikane një pamje më realiste të jetës familjare.