Ambasada e Britanisë në Tiranë me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ka kërkuar që parlamenti të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.
Ambasada ka reaguar në lidhje me tensionet gjatë seancave të fundit të Kuvendit, duke kërkuar dialog mes palëve.
Përmes postimit në rrjetet sociale, selia diplomatike britanike iu kërkon palëve të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të veprojë në interes të qytetarëve.
‘Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve’, shkruhet në mesazhin e ambasadës britanike.