22.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

Begaj në Pilur: Tekstet e këngëve tuaja kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes patriotike

Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj, ishte i pranishëm në festivalin folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, që u zhvillua në Pilur të Vlorës, në sofrën që pret çdo vit këngëtarë, instrumentistë, valltarë dhe krijues nga të gjitha viset shqiptare.

Kreu i Shtetit, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, artistëve pjesmarrës dhe banorëve të Pilurit, vlerësoi këtë traditë folklorike të frymëzuar nga “Nderi i kombit”, poeti dhe këngëtari Lefter Çipa, dhe të pasuar nga “Mjeshtri i madh”, poeti tjetër i familjes isopolifonike, Kristo Çipa, i cili çdo edicion sjell grupe të reja polifonike dhe interpretues të rinj.

“Në Pilur kënga është institucion dhe shpirti juaj krijues është një akademi natyrale”, – u shpreh Presidenti Begaj ndërsa rikujtoi figurat emblematike të isopolifonisë që, sipas tij, kanë lënë pas një thesar unik të pavdekshëm, një pasuri botërore dhe në këtë mënyrë do të mbeten në kujtesën artistike të vendit, të institucioneve të trashëgimisë dhe të artit kombëtar.

“Talenti dhe forca e madhe interpretuese në mishërim të papërsëritshëm me tekstet e këngëve tuaja kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes patriotike e atdhetare të brezave njerëzorë të këtyre trevave, bregdetit, Himarës, labërisë dhe hapësirës sonë kombëtare”, – u shpreh Presidenti i Republikës, i cili e vlerësoi këtë festival si një provë të fisme të vijimit të traditës dhe besnikërisë ndaj trashëgimisë pilurjote.

Veç pasurisë shpirtërore të përcjellë përmes isopolifonisë apo “këngëvë vençe”, sic i quajnë pilurjotët, Presidenti Begaj theksoi, gjithashtu, kontributin patriotik të burrave që ka nxjerrë ky fshat ndër breza.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit