Të dielën në Serbi mbahen zgjedhjet lokale. Shqiptarët e Luginës së Preshevës në këto zgjedhje garojnë me gjashtë lista vetëm në Preshevë dhe katër në Bujanoc. Në tubimin e mbajtur mbrëmë në Prishtinë nga dy kandidatët e PVD-së Ardita Sinani për Preshevën dhe Ragmi Mustafa për Bujanocin, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u theksua nevoja për të mbështetur Luginën për t’i tejkaluar pabarazitë që po u bëhen nga shteti serb. Kurti tha se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm.
“Synimi jonë si subjekt politik që nga themelimi, ishte ngritja e zërit për të drejtat e shqiptarëve duke u mbështetur gjithmonë dhe duke tentuar të ndërtojmë një bashkëpunim institucional me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe me ndihmën dhe angazhimin e kryeministrit Albin Kurti ia kemi arritur kësaj. Është fakt dhe e qartë se në Serbi kjo punë po i pengon dikujt, por nuk është problem i joni, por i tyre, sepse insistimi jonë do të jetë që niveli jonë i bashkëpunimit me Qeverinë në Prishtinë dhe Tiranë të jetë gjithnjë më i madh, sepse Lugina e Preshevës nuk ka jetë pa mbështetje me Prishtinën. Do të vazhdojmë të insistojmë që ndërtimi i raporteve më të afërta me Kosovën, të jetë gjithnjë e më i shpeshtë, që Republika e Kosovës të jetë sa më prezentë në Luginë të Preshevës, sepse, me Serbinë autokratë të Aleksandar Vuçiqit e kemi vështirë të përballemi vet, prandaj e kërkojmë ndihmën e juaj këtu”, u shpreh Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë.