9.8 C
Skopje
Friday, November 7, 2025

Kujt i takojnë dhe ku dorëzohen zekati dhe sadakatul-fitri?

Allahu xh.sh. i drejtohet Pejgamberit a.s., në Librin e Tij: “Merr (o Pejgamberi i Zotit) nga pasuria e tyre sadakanë (zekatin), që t’ua pastrosh pasuritë e tyre dhe t’ua rrisësh veprat e mira!” (Et-Tevbe, 103).

Dhënia e zekatit është një nga shtyllat e Islamit dhe një nga obligimet parësore të atyre që e kanë arritur nisabin. Pejgamberi a.s ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër më të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i muajit Ramazan dhe kryerja e haxhit.” (Imam Tirmidhiu).

Nga Ibën Abbasi r.a., transmetohet se: “I Dërguari i Allahut a.s. e kishte bërë obligim dhënien e sadakatul-fitrit si pastrim nga të metat gjatë agjërimit. Ai që e jep para namazit të Bajramit i llogaritet si sadakatul-fitër, ndërsa ai që e jep pas namazit të Bajramit i llogaritet si sadaka normale.” (Ebu Davudi dhe Ibën Maxhe)
Vlera e dhënies së zekatit është 2.5% nga nisabi i arritur. Për vitin 2022, nisabi është 5141 euro apo 91.6 gr. ari. Ndërsa vlera e dhënies së sadakatul-fitrit përcaktohet nga institucionet përkatëse të vendit sipas standardit jetësor.

Gjatë kohës së Pejgamberit a.s., sahabëve, dhe përderisa ishte shteti islam, zekati dhe sadakatul-fitri është dhënë në fondet shtetërore, ngase shteti ishte i ndërtuar mbi parimet sheriatike-islame. Mirëpo, sot, si zëvendësim i këtij fondit shtetëror që ishte në atë kohë është fondi i institucionit përkatës fetar, që në këtë rast te ne është fondi i Bashkësisë Islame, ky fond përndryshe quhet Bejtul-mal (arka e përbashkët), nga i cili financohen grupet të cilat janë të përcaktuara me ajete kuranore, e ato janë: “Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.” (Et-Tevbe, 60.).

Nga ky fond, Bashkësia Islame përveç që ndihmon njerëz në nevojë, familjet skamnore e ata me nevojë sociale dhe ekonomike në shoqëri, gjithashtu ka edhe fondin e ngritjes së shoqërisë në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, duke i ndihmuar medresistët dhe studentët që studiojnë dhe mësojnë mësimet fetare-islame dhe në këtë mënyrë i aftëson ata për kontribut fetar ndaj popullit dhe ngritjes së fjalës së Zotit në këtë botë.
Andaj, pa dyshim, institucioni më kompetent në vendosjen e prioriteteve se kush është më primar në pranimin e zekatit dhe sadakatul-fitrit është institucioni fetar i vendit. Për ata që e diskutojnë dhe e kundërshtojnë dhënien e zekatit dhe sadakatul-fitrit në Bashkësinë Islame, një nga profesorët më eminent dhe njëkohësisht i angazhuar për dhënien fetfave në Bosnje dhe Hercegovinë, njëherësh myftiu i Sarajevës, prof. dr. Enes Levakoviq, thotë: “Ata që e kundërshtojnë dhe diskutojnë institucionalizimin e mbledhjes dhe shpërndarjes së fondeve të zekatit dhe sadakatul-fitrit, ata janë në anën e përkrahësve të anarkisë, çrregullimit, përçarjes dhe të dobësimit të rolit të Bashkësisë Islame.”

Koha e dhënies së zekatit nuk është e kufizuar apo e definuar saktësisht, mund të jepet gjatë dymbëdhjetë muajve, mirëpo koha më e preferuar e dhënies së zekatit është gjatë muajit Ramazan, ngase veprat e mira në Ramazan shumëfishohen dhe për ta fituar shpërblimin më të lartë është e preferuar të jepet në Ramazan. Ndërsa dhënia e sadakatul-fitrit është në Ramazan, zakonisht jepet në dhjetë ditshin e fundit të muajit të bekuar Ramazan. Afat i fundit i dhënies së sadakatul-fitrit është para faljes së namazit të Bajramit, përndryshe, më pastaj konsiderohet si sadaka normale (vullnetare).

Sipas të drejtës së Sheriatit, “sadakatul-fitri” është i kategorisë vaxhib-obligim. Ibën Abasi transmeton hadithin e Pejgamberi a.s., në të cilin ka thënë: “Pejgamberi a.s. e ka bërë obligim zekatu’l (sadakatu’l) fitrin pastrim për agjëruesin për fjalët e kota e të ndyta, dhe ushqim për të varfrit, andaj kush e jep para namazit të Bajramit ajo është sadaka e pranuar, e kush e jep pas namazit (të Bajramit), konsiderohet sadaka e rëndomtë!” Dhe: “Agjërimi i Ramazanit qëndron mes qiellit dhe tokës, deri sa të jepet sadakatu-l-fitri, më pastaj ngritët në qiell”, dhe në transmetimin e Ebu Davudit thuhet se: “Sadakatu-l-fitrin duhet ta japin të gjithë të pasurit por edhe të varfrit.” (Davudi)

Mr. Mirsad Aslani

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit