Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe lideri i opozitës, Gadi Eisenkot, janë takuar të dielën në mëngjes për të diskutuar formimin e një qeverie të unitetit kombëtar, tre javë pasi presidenti i Izraelit i ngarkoi Eisenkotit detyrën për të tentuar formimin e një qeverie, pas zgjedhjeve parlamentare që nuk prodhuan një rezultat përfundimtar.
Në një deklaratë të përbashkët të partive të tyre, të publikuar të dielën pasdite pas përfundimit pa ndonjë rezultat, thuhej se takimi nisi me një informim mbi çështjet e sigurisë dhe më pas vijoi me diskutimet për “formimin e një qeverie të unitetit kombëtar”.
“Takimi vijoi me diskutimet për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar dhe u zhvillua në një atmosferë serioze e konstruktive, ku të dyja palët u përpoqën të kapërcenin dallimet e mëdha mes tyre”, thuhej në deklaratë.
Një burim i ka thënë CNN-it se nuk është planifikuar asnjë takim pasues.
Burimi ka thënë po ashtu se Eisenkot i kishte bërë të ditur kryeministrit se mbetet i përkushtuar ndaj partnerëve të tij në bllokun e ndryshimit, të cilët kundërshtojnë formimin e një qeverie të unitetit kombëtar me Netanyahun.
Për muaj të tërë, Eisenkot e ka cilësuar Netanyahun, kryeministrin më jetëgjatë në historinë e Izraelit, si të papërshtatshëm për këtë detyrë dhe si një kërcënim për të ardhmen e vendit. Netanyahu, nga ana tjetër, ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë kundër bashkëpunimit me partitë e udhëhequra nga arabët, të cilat, pas fitoreve historike në zgjedhjet e 27 tetorit, u shndërruan në aleatë të mundshëm, por politikisht të vështirë për bllokun opozitar.
Yousef Jabareen, kreu i Listës së Përbashkët të partive arabe, ka bërë thirrje që oferta e Netanyahut të refuzohet.
“Është koha të përmbushet vullneti i përbashkët i të gjithë qytetarëve, hebrenjve dhe arabëve, dhe Netanyahu të largohet nga pushteti këtë javë”, ka thënë ai.
Yair Lapid, një nga liderët e partive opozitare me shumicë hebraike, i cili shërbeu për një periudhë të shkurtër si kryeministër në një qeveri koalicioni të formuar në vitin 2021, që i dha fund 12 vjetëve të pushtetit të Netanyahut, e ka cilësuar ofertën si një mashtrim.
Ndërkohë, Naftali Bennett, i cili gjithashtu ka shërbyer si kryeministër në qeverinë e koalicionit së bashku me Lapidin, e ka mirëpritur ofertën e Netanyahut që Eisenkot të merrte fillimisht postin e kryeministrit. Ai ka thënë se një qeveri e unitetit kombëtar duhet të ndërtohet rreth partive që përfaqësojnë izraelitët që kryejnë shërbimin ushtarak ose shërbimin kombëtar.








