Kur Tirana ishte shpallur e çliruar më 17 nëntor 1944, lufta në Shqipëri nuk kishte përfunduar ende. Në veri të vendit, Shkodra mbetej bastioni i fundit i rëndësishëm i forcave gjermane dhe i bashkëpunëtorëve shqiptarë të tyre.
Çlirimi i saj do të shënonte edhe përmbylljen e një kapitulli të gjatë lufte, që kishte nisur me pushtimin italian të vendit në prill të vitit 1939. Shkodra nuk ishte një qytet dosido në këtë përballje. Përveç rëndësisë strategjike, ajo mbante një peshë të veçantë historike dhe simbolike. Pozicioni i saj gjeografik, i rrethuar nga liqeni, lumenjtë Drin, Buna dhe Kiri, si dhe nga kodrat përreth, e bënte një pikë të vështirë për t’u marrë ushtarakisht.
Forcat gjermane kishin organizuar mbrojtjen e qytetit, ndërsa në Shkodër ndodheshin edhe formacione të bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët pas tërheqjes nga Tirana kishin përqendruar aty një pjesë të strukturave të tyre politike dhe ushtarake.
Nga ana tjetër, Ushtria Nacionalçlirimtare kishte përgatitur operacionin përfundimtar. Drejtimi i mësymjes iu besua shtabit të Korparmatës së III-të, nën komandën e Tahir Kadare dhe Tuk Jakovës.
Në operacion do të angazhoheshin disa brigada e divizione partizane, së bashku me njësitë guerile të qytetit. Forcat e angazhuara në këtë operacion llogariteshin në rreth 6 mijë partizanë.
Përballja vendimtare nisi në orët e natës mes 28 dhe 29 nëntorit. Sulmet u organizuan në disa drejtime, me synimin për të thyer mbrojtjen gjermane dhe për të penguar tërheqjen e organizuar të trupave të tyre.
Një nga pikat kyçe të operacionit ishte Ura e Muxharit, e cilësuar si porta veriore e Shkodrës. Një prej batalioneve partizane arriti të shkëpuste praparojën e kolonës gjermane, të kapte robër rreth 30 ushtarë dhe të shkatërronte disa mjete ushtarake.
Në këtë përballje, rol të rëndësishëm patën edhe njësitë guerile dhe banorët e qytetit, të cilët ndihmuan forcat partizane në operacionin përfundimtar. Mëngjesin e 29 nëntorit 1944, Shkodra u zgjua e çliruar. Pas luftimeve të ashpra, forcat gjermane u larguan dhe qyteti kaloi nën kontrollin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Çmimi i kësaj përpjekjeje ishte i rëndë: 44 partizanë humbën jetën gjatë operacionit.
Lajmi për çlirimin iu përcoll menjëherë komandës së përgjithshme në Tiranë përmes një radiogrami. Me rënien e bastionit të fundit, 29 nëntori u shënua si dita e çlirimit të plotë të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Kështu, pas më shumë se pesë vitesh pushtimi dhe lufte, Shqipëria hyri në një kapitull të ri të historisë së saj.
29 nëntori mbeti në kujtesën historike si dita që shënoi përfundimin e luftës çlirimtare, por edhe fillimin e një periudhe të re politike për vendin.








