Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se gjatë dy viteve të fundit janë punësuar mbi 2.000 shqiptarë, duke kundërshtuar pretendimet se shqiptarët nuk po përfaqësohen sa duhet në institucionet shtetërore.
Mexhiti tha se, sipas tij, disa po përdorin shifra të pjesshme për të krijuar një pasqyrë të gabuar për punësimet, ndërsa theksoi se situata duhet të analizohet në tërësi dhe jo përmes rasteve të veçanta.
Si shembuj, ai përmendi Spitalin e Tetovës, ku sipas tij janë punësuar 160 shqiptarë dhe vetëm dy ose tre maqedonas, si dhe Ministrinë e Ekologjisë, ku gjatë kohës sa ai ishte në krye të saj, janë punësuar 30 shqiptarë dhe asnjë maqedonas.
“Dikush mundohet me numra parcialë për të krijuar fotografi se nuk po punësohen shqiptarët. Parcialisht mund të gjejmë edhe raste si në Spitalin e Tetovës, ku janë punësuar 160 shqiptarë dhe dy ose tre maqedonas. Në Ministrinë e Ekologjisë, sa isha unë, janë punësuar 30 shqiptarë dhe zero maqedonas”, deklaroi Mexhiti.
Ai këmbënguli se treguesi kryesor duhet të jetë numri i përgjithshëm i punësimeve, duke pretenduar se brenda dy viteve janë punësuar mbi 2.000 shqiptarë.
Mexhiti iu referua edhe raporteve të Avokatit të Popullit, për të cilat tha se konstatojnë përparim në përfaqësimin e shqiptarëve gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026.
Sipas tij, me miratimin e ligjit përkatës, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të marrë një bazë më të qëndrueshme ligjore dhe do të bëhet edhe më i dukshëm.
“Ajo që është institucionale është Avokati i Popullit, që konstaton se prej ardhjes së VLEN-it ka progres. Me sjelljen e ligjit do të betonohet ky element dhe përfaqësimi do të jetë edhe më i dukshëm”, u shpreh Mexhiti.








