Enti Shtetëror për Revizion në Maqedoninë e Veriut, nën drejtimin e drejtorit Orhan Ademi, ka organizuar mbajtjen e provimit profesional për pajisjen me certifikatë të revizorit të autorizuar shtetëror, duke mundësuar që i gjithë procesi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase.
Në një hap të rëndësishëm drejt respektimit të barazisë gjuhësore dhe krijimit të mundësive të barabarta për kandidatët, provimi profesional për revizorë të autorizuar shtetërorë është organizuar në të dyja gjuhët zyrtare, shqip dhe maqedonisht.
Risi në këtë proces nuk është vetëm mundësia që kandidatët ta japin provimin në gjuhën shqipe, por edhe trajtimi i plotë i të gjitha procedurave administrative në të dyja gjuhët. Kështu, shpallja publike për provimin, kërkesa për aplikim, si dhe certifikatat e lëshuara, janë përgatitur dhe ofruar në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Po ashtu, kandidatëve shqiptarë u është mundësuar që në gjuhën shqipe të zhvillojnë të dyja pjesët e provimit, atë teorike dhe praktike, duke garantuar mundësi të barabarta gjatë gjithë procesit të certifikimit profesional.
Provimi është mbajtur në Agjencinë për Administratë, ku nga gjithsej 65 kandidatë pjesëmarrës, 27 kanë qenë shqiptarë.
Me këtë organizim, Enti Shtetëror për Revizion krijon mundësi që edhe kandidatët shqiptarë të avancojnë profesionalisht dhe të certifikohen në fushën e revizionit shtetëror duke ushtruar të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në të gjithë procesin.








