66,1 % e familjeve në RMV në vitin 2025 kanë qenë pa fëmijë, ndërsa vetëm 33,9 % kanë pasur fëmijë, tregojnë të dhënat e Eurostat-it për strukturën e familjeve. Sipas këtyre të dhënave ndryshe nga mesatarja evropiane ku 76,6 %e familjeve nuk kanë fëmijë, në vend përqindja e familjeve me fëmijë është më e lartë dhe arrin në 33,9 % krahasuar me 23,3 % në Bashkimin Evropian.
“Në Maqedoni të Veriut në vitin 2025 kishte gjithsej 595.600 familje, prej të cilave 393.400 ishin pa fëmijë, ndërsa 202.200 kishin fëmijë. Numri mesatar i fëmijëve për familje ishte 0,60, që paraqet një rënie prej 25 % krahasuar me vitin 2015, kur kjo mesatare ishte 0,80”, thuhet në raportin e Eurostat.
Sipas të dhënave të Eurostat, në nivel të BE-së, përqindja e familjeve me fëmijë ka shënuar rënie të vazhdueshme gjatë 15 viteve të fundit.
‘’Në vitin 2010 ishte 26,9 %, në vitin 2015 ra në 25,9 %, në vitin 2020 në 25%, ndërsa në vitin 2025 arriti në 23,3 %. Kjo do të thotë se pothuajse tetë nga dhjetë familje në BE nuk kanë fëmijë. Ndërkaq, familjet në vend kanë mesatarisht 3,1 deri në 3,2 anëtarë, krahasuar me mesataren evropiane prej rreth 2,3 anëtarësh’’, tregojnë të dhënat e Eurostat.
“Gjatë së njëjtës periudhë është rritur përqindja e familjeve të përbëra nga një i rritur pa fëmijë nga 33,6 % në vitin 2015 në 37,5 % në vitin 2025. Në të kundërtën, përqindja e familjeve të përbëra nga çifte me fëmijë është ulur nga 16,6 në 14,7 %”.
Sipas të dhënave të Eurostat ndër vendet anëtare të BE-së, përqindjen më të lartë të familjeve të përbëra nga çifte me fëmijë e ka Sllovakia me 20,3 %, e ndjekur nga Qiproja me 19,6 % Çekia me 18,4 % dhe Luksemburgu me 18,3 %. (Shenja)








