Delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mori pjesë në Sesionin e 72-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që u mbajt nga 20 deri më 23 nëntor në Berlin të Gjermanisë.
Delegacioni përbëhej nga Dragan Kovaçki, shef i delegacionit, deputetja Sllavjanka Petrovska dhe deputeti Ilir Hasani, zëvendësanëtar i delegacionit.
Në sesionin ku morën pjesë parlamentarë nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-s, në fokus ishte mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, përshtatja e Aleancës ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe rritja e investimeve në mbrojtje.
Parlamentarët riafirmuan mbështetjen për Ukrainën dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje, duke kërkuar vazhdimin e ndihmës ushtarake, financiare dhe humanitare. Njëkohësisht, u theksua nevoja që vendet anëtare të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, me synimin që ato të arrijnë deri në 5 për qind të BPV-së në vitet e ardhshme.
Në hapjen solemne të sesionit morën pjesë kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Markos Perestrello, ministri gjerman i Mbrojtjes, Johan Vadepful, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. Përmes video-lidhjes iu drejtua parlamentarëve edhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, theksoi rëndësinë e solidaritetit mes aleatëve dhe rritjes së investimeve në kapacitetet ushtarake dhe industrinë e mbrojtjes. Ndërsa presidenti Zelenski kërkoi garanci reale dhe afatgjata të sigurisë për Ukrainën dhe Evropën, duke theksuar se përfundimi i luftës duhet të jetë i qëndrueshëm.
Gjatë punimeve u shqyrtuan edhe çështje që lidhen me sigurinë në krahun lindor të NATO-s, situatën në vendet baltike, incidentet në Detin e Zi dhe rrëzimin e dronëve në Poloni.
Në kuadër të sesionit, delegacionet shqyrtuan disa raporte dhe miratuan pesë rezoluta, që trajtojnë mbrojtjen kolektive, mbështetjen për Ukrainën, sigurinë ekonomike, inovacionet teknologjike dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Në sesionin plenar u zgjodh edhe udhëheqësia e re e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Kongresmeni amerikan Brendan Boyle u zgjodh kryetar, ndërsa u emëruan edhe pesë nënkryetarë.
Anëtarët e delegacionit të Maqedonisë së Veriut morën pjesë në mënyrë aktive në punimet e komiteteve të përhershme, ku u diskutua për forcimin e rezistencës së shoqërive, industrinë e mbrojtjes, ndikimin ekonomik të shpenzimeve ushtarake dhe zhvillimin e teknologjive të reja.
Pas përfundimit të sesionit, shefi i delegacionit, Dragan Kovaçki, pritet të marrë pjesë edhe në Forumin e Politikës së Jashtme të Berlinit, së bashku me drejtuesit e delegacioneve të tjera të ftuara të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.








