Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi masa të reja për zgjidhjen e çështjes së banimit për çiftet e reja deri në moshën 35-vjeçare. Sipas tij, përmes këtyre masave, çiftet e reja do të kenë mundësi të sigurojnë banesa me çmime deri në 20 për qind më të ulëta.
Mickoski bëri të ditur se çdo kompani ndërtimi që në të ardhmen do të ndërtojë objekte banimi do të obligohet të rezervojë të paktën 10 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të banimit për këtë kategori.
“Çdo kompani ndërtimi që ndërton prona banimi në të ardhmen duhet të rezervojë të paktën dhjetë për qind të sipërfaqes totale të banimit për strehim, e cila më pas do t’u ofrohet çifteve të reja të martuara deri në moshën tridhjetë e pesë vjeç, me një çmim të paktën njëzet për qind më të ulët se çmimi për atë komunë kadastrale që ishte në fuqi vitin e kaluar”, u shpreh Mickoski.
Sipas paralajmërimit, masa synon të lehtësojë sigurimin e banesave dhe të krijojë kushte më të favorshme për çiftet e reja.








