Një incident i rëndë ka ndodhur sot, rreth orës 17:00, pranë Poliklinikës “Jane Sandanski” në Shkup, ku një mjek dhe një infermiere e ekipit të Ndihmës së Shpejtë dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga dy persona, babë e bir. Si pasojë e sulmit, të dy punonjësit shëndetësorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë përfunduar në spital për trajtim mjekësor, mëson Zhurnal.mk.
Sipas informacioneve jozyrtare që Zhurnal.mk ka siguruar nga burime pranë Poliklinikës “Jane Sandanski”, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me transportimin e një pacienti drejt Klinikës Universitare “Nënë Tereza” në Shkup.
Burimet bëjnë të ditur se pacienti, një burrë i moshuar, i diagnostikuar me sëmundje kancerogjene, dyshohet se disa orë përpara incidentit kishte konsumuar lëng antifriz, me qëllim vetëhelmimin. Duke qenë se bëhet fjalë për një substancë tejet toksike, konsumimi i së cilës mund të shkaktojë pasoja fatale, familjarët kishin kërkuar ndërhyrje urgjente mjekësore.
Si ndodhi incidenti?
Sipas rrëfimit të burimit të Zhurnal.mk, rreth orës 17:00, një ekip i Ndihmës së Shpejtë kishte mbërritur pranë Poliklinikës “Jane Sandanski” për të kryer detyrat e tij të zakonshme.
Në momentin kur mjeku dhe infermierja kishin dalë nga autoambulanca, atyre u ishte afruar një person, i cili më vonë është identifikuar si djali i pacientit të moshuar.
Ai kishte filluar të kërkonte me zë të lartë ndihmën e mjekut, duke i thënë se babai i tij ndodhej në automjet dhe kishte nevojë për ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Sipas burimit, mjeku kishte reaguar menjëherë dhe ishte drejtuar me vrap drejt automjetit të familjarëve për të kontrolluar gjendjen e pacientit.
Mirëpo, kur kishte mbërritur pranë automjetit, kishte konstatuar se brenda tij nuk ndodhej askush.
Pas pyetjes së mjekut se ku gjendej pacienti, djali i kishte treguar babanë e tij, i cili në atë moment qëndronte në këmbë pranë tij.
Mosmarrëveshja për transportimin drejt Qendrës Klinike
Sipas informacioneve të siguruara nga Zhurnal.mk, mjeku i Ndihmës së Shpejtë i kishte shpjeguar djalit të pacientit se, bazuar në vlerësimin e tij fillestar, i moshuari në atë moment nuk shfaqte shenja të dukshme të një gjendjeje të rënduar shëndetësore.
Mjeku, sipas të njëjtit burim, kishte theksuar se nuk mund të merrte në mënyrë të pavarur vendim për transportimin e pacientit drejt Qendrës Klinike “Nënë Tereza”, pa marrë paraprakisht udhëzime ose autorizim nga qendra përkatëse e koordinimit të shërbimit të urgjencës.
Ai gjithashtu kishte sqaruar se ekipi i tij kishte edhe disa intervenime të tjera urgjente në pritje, ku duhej të ofronte ndihmë mjekësore.
Për këtë arsye, mjeku e kishte udhëzuar djalin që ta transportonte babanë me automjetin e tij drejt institucionit shëndetësor, ose të kontaktonte qendrën e urgjencës për të raportuar gjendjen dhe për të kërkuar organizimin e transportit me autoambulancë.
Sipas burimit, mjeku kishte theksuar se, nëse qendra e urgjencës do të urdhëronte ekipin e tij të kryente transportimin, ai do ta zbatonte menjëherë një udhëzim të tillë.
Megjithatë, djali i pacientit kishte vazhduar të insistonte që babai i tij të merrej menjëherë me autoambulancë dhe të dërgohej në Klinikën e Urgjencës pranë kompleksit klinik “Nënë Tereza” në Shkup. përcjell Zhurnal.mk .








