​Anija ruse goditet pranë Finlandës tani është në ujërat e NATO-s, kjo nuk është anije e zakonshme

Advertisement

Një anije mallrash ruse Sparta II, e cila është e lidhur me transportin e pajisjeve për ushtrinë ruse, u dëmtua rëndë sot në një sulm me dron në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës, pas të cilit u përfshi nga flakët dhe u zhyt në ujërat territoriale të Finlandës.

Kjo u konfirmua nga Forcat Mbrojtëse Finlandeze.

Incidenti ndodhi në perëndim të ishullit rus Gogland, rreth 40 kilometra nga bregu finlandez.

Finlanda ka rritur masat e sigurisë në zonë dhe ka informuar aleatët e saj, ndërsa Suedia fqinje ka ofruar ndihmë.

Ministria e Mbrojtjes e Finlandës njoftoi se ushtria ka rivendosur kufizime të përkohshme në trafikun ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar forcat të veprojnë nëse është e nevojshme për të kapur dronë.

Policia dhe rojet kufitare estoneze morën një raport për një zjarr në anijen ruse të mallrave Sparta II në orën 9:35 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Sipas informacionit fillestar, shpërthime ndodhën në anije ndërsa ajo po lundronte në një rrugë ndërkombëtare detare drejt enklavës ruse të Kaliningradit.

Guvernatori i Rajonit të Leningradit të Rusisë, Aleksandr Drozdenko, konfirmoi se anija u godit nga dy dronë në ujërat ndërkombëtare.

“Ekuipazhi aktualisht po evakuohet. Pasojat e incidentit ende po përcaktohen”, njoftoi Drozdenko.

Sparta II nuk është anije tregtare e zakonshme. Ajo i përket kompanisë ruse Oboronlogistika, e cila ofron shërbime logjistike për Ministrinë e Mbrojtjes ruse, duke përfshirë transportimin e pajisjeve ushtarake, furnizimin e forcave ruse dhe dërgimin e ngarkesave në Krimenë e pushtuar.

Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase, Sparta II po transportonte sisteme të mbrojtjes ajrore S-300 nga Siria në portin rus të Novorossiysk në gusht 2022 për luftën kundër Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj anijes në maj 2022 për shkak të lidhjes së saj me Oboronlogistik, dhe Ukraina e shtoi atë në listën e saj të anijeve të sanksionuara në maj të këtij viti.

Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush i nisi dronët që goditën Sparta II.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit