Në nderë të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, Organizata Kulturore Humanitare Merhamet po realizon një aktivitet, duke dhënë libra falas. Autorë të ndryshëm, shumë shtëpi botuese dhe libra nga romane, poezi, histori, libra për fëmijë, rreth 2000 copë, do të shpërndahen për të gjithë të interesuarit. Aktivistët e kësaj nisme thonë se që nga orët e para të hapjes së dyerve, interesimi ka qenë tejet i madh.
Emrin Demiri, aktivit i OKH Merhamet
“Një aktivitet që është i vlefshëm për në dhe që lidhet me 22 Nëntorin Kongresin e Manastirit, 118 vjet më parë siç e dijmë është formuluar Alfabeti i gjuhës shqipe dhe atij alfabeti duam që t’i japim vlerë me atë i cili i jep vlerë, pra që është libri. Për këtë arsye ne po dhurojmë edhe libra falas…nuk prisnim kaq shumë njerëz, por për fat të mirë dhe për neve është një kënaqësi shumë e madhe që ky aktivitet është duke ecur në këtë mënyrë….Kemi kategori të ndryshme të librave duke filluar nga poezi, romane, libra shkencor, diku 2000 libra”.
Aktivistja Arbresha Bytyqi thotë se interesimi më i madh vjen nga të rinjtë, ndërsa më të pëlqyer janë romanet dhe librat psikologjik.
Arbresha Bytyqi, aktivitse e shkollës së mesme
“Sot kam ardhur si aktiviste të ndihmoj në këtë ditë për faktin që është 22 Nëntori Dita e Alfabetit, jemi mbledhur këtu në Çarshi për të dhuruar libra. Siç e shihni kemi shumë të interesuar sidomos nga të rinjtë dhe për këtë gjë ndihem shumë krenare dhe mirë…Siç kam parë deri tani më shumë të interesuar kam parë për romane, si edhe libra psikologjike”.
Aktiviteti i dhurimit të librave falas ka nisur sot dhe vazhdon edhe ditën e diel, më 22 Nëntor.








