Lansohet kampanja “Dhuro Made in Kosova”, synohet promovimi i produkteve vendore

Advertisement

Të gjitha bizneset vendore, prodhuesit dhe ndërmarrësit në Kosovë kanë mundësi të bëhen pjesë e kampanjës “Dhuro Made in Kosova”, e cila synon promovimin e produkteve vendore dhe rritjen e prezencës së prodhuesve kosovarë në tregun online.

Një nga përparësitë kryesore të kampanjës është se promovimi i produkteve në këto tri platforma do të ofrohet pa asnjë kosto për bizneset pjesëmarrëse. Kjo mundësi vjen si kontribut i platformave partnere në mbështetje të prodhimit vendor dhe ndërmarrësisë kosovare.

Ministrja e MINTI-ti Mimoza Kusari-Lila tha se kampanja vjen në prag të festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit, kur qytetarët dhe diaspora bëjnë blerje të dhuratave.

Ajo bëri të ditur se për këtë nismë janë bashkuar tri platforma të tregtisë elektronike, Gjirafa, Foleja dhe Shopaz, përmes të cilave produktet vendore do të promovohen dhe do të jenë më të qasshme për konsumatorët.

Kusari-Lila u bëri thirrje edhe platformave të tjera vendore që t’i bashkohen kampanjës, e cila do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027.
Ajo ftoi gjithashtu bizneset dhe prodhuesit vendorë që të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke aplikuar përmes adresës elektronike të ministrisë.

Si mund të aplikojnë bizneset?

Bizneset e interesuara mund të aplikojnë duke dërguar kërkesën e tyre në adresën elektronike: [email protected]
Pas aplikimit, bizneset do të informohen për udhëzimet dhe hapat e mëtejshëm që duhet të ndjekin për t’u bërë pjesë e kampanjës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit