Ministri Ferati: Alfabeti shqip, simbol i bashkimit dhe përgjegjësisë për brezat e ardhshëm

Advertisement

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe festave të nëntorit, hapi aktivitetin e organizuar në Qendrën Informative Kulturore (QIK) ku u shpërndanë pllakata për mësimdhënësit.

Në fjalimin e tij, Ferati theksoi se shënimi i Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk përfaqëson vetëm kujtimin e një ngjarjeje historike dhe të vendimit për njësimin e shkronjave shqipe, por edhe një përpjekje të jashtëzakonshme për bashkimin e një populli përmes gjuhës, dijes dhe kulturës.

„Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e asaj ngjarjeje. Ata nuk menduan vetëm për kohën në të cilën jetonin, por për brezat që do të vinin pas tyre”, theksoi Ferati.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministri shprehu mirënjohje të veçantë edhe për veteranët e arsimit shqip, duke vlerësuar kontributin e tyre shumëvjeçar në edukimin dhe shkollimin e gjeneratave të tëra.

„Sot jemi mirënjohës edhe për veprimtarinë tuaj si veteranë të arsimit shqip, për atë që shkolluat gjenerata e gjenerata dhe na mundësuat sot të flasim për shtet, për institucione, për Bashkimin Evropian, për integrim etj.”, u shpreh Ferati.

Në përfundim të fjalimit, ministri Agon Ferati përcolli urimet për festat e nëntorit dhe Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
„Urime Festat e Nëntorit, urime Ditën e Alfabetit Shqip!”, përfundoi ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit