Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, shënoi vitin e parë të mandatit me një konferencë për shtyp dhe me një shifër konkrete: komuna ka shlyer mbi 2,5 milionë euro borxhe nga përmbarimet. Qytetarët që kishin kërkesa ndaj komunës hoqën dorë nga rreth 300 mijë euro kamata, ndërsa nga TVSH-ja, sipas tij, komuna ka përfituar 600 mijë euro më shumë se vitin e kaluar.
Megjithatë, kjo histori suksesi ka një problem: llogaria e Komunës së Strugës vazhdon të jetë e bllokuar. Struga mbetet në listën e komunave që nuk mund të disponojnë lirshëm me mjetet e tyre financiare.
Borxhet janë të vjetra dhe janë grumbulluar që nga viti 2007, kryesisht si pasojë e shpronësimeve. Ndërkohë, kamatat nga përmbarimet, sipas Qyrës, arrijnë deri në 100 për qind, duke bërë që borxhi të rritet në pesë milionë euro.
Kryetari pret që deri në fund të vitit të shlyhen të gjitha detyrimet, me çka Struga, sipas tij, për herë të parë në historinë e saj do të ishte pa borxhe. Ai theksoi gjithashtu se rreth 80 për qind e projekteve të nisura janë drejt përfundimit. Mes tyre përmendi rrugët Turistiçka dhe Kolektorska, kanalizimin në Vranishtë, si dhe rrugën Mislodezhdë–Trebenishtë.
Nga ana tjetër, opozita paraqet një pasqyrë krejtësisht tjetër. Sipas saj, nga programi parazgjedhor janë realizuar vetëm rreth 5 për qind e premtimeve, ndërsa projekte si parkingu shumëkatësh, rregullimi i plazheve dhe ndërtimi i portit të ri ende nuk kanë marrë jetë.
Sa i përket parkingut shumëkatësh, deri më tani është përgatitur një studim fizibiliteti, ndërsa një tjetër është në hartim. Vetë Qyra pranon se realizimi i këtij projekti mund të zgjasë tre deri në katër vjet.
Si një tjetër sukses të mandatit të tij, Qyra përmendi ndërprerjen e praktikës së pagesës së pagave për persona që nuk paraqiteshin fare në vendin e punës.
Mirë që kjo praktikë ka marrë fund. Por mbeten disa pyetje: Kush i punësoi këta persona? Sa vite morën paga pa kryer asnjë detyrë dhe a mbajti dikush përgjegjësi për këtë?
Borxhet e grumbulluara që nga viti 2007 janë dëshmi se si faturat e një pushteti përfundojnë duke u paguar nga pushtetet pasuese dhe, mbi të gjitha, nga qytetarët.
Struga ktheu 2,5 milionë euro borxh, por llogaria e komunës mbetet e bllokuar: Qyra premton shlyerje deri në Vitin e Ri








