Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka akuzuar BDI-në se i ka mbajtur punonjësit në kontrata të përkohshme për t’i shantazhuar politikisht, ndërsa ka mbrojtur Propozimligjin për transformimin e kontratave në vendime të përhershme pune.
Duke folur në emisionin “Verdikt” në TVM 2, Mexhiti tha se punonjësit me kontrata janë më të ekspozuar ndaj presionit politik, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, kur sipas tij, ftohen në tubime dhe aktivitete në këmbim të sigurisë së vendit të punës.
“Është më mirë t’i kesh me vendime të përhershme pune sesa t’i mbash në kontrata dhe t’i keqpërdorësh politikisht, që në fushatë t’i ftosh nëpër tubime e aktivitete dhe për vota t’i shantazhosh”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se punësimi i përhershëm u siguron punonjësve më shumë autonomi, pagë dhe pozitë më të mirë, si dhe mundësi për llogaritjen e stazhit të punës.
Sipas Mexhitit, kjo i bën ata më pak të manipulueshëm nga politika ditore, ndërsa kritikat e opozitës ndaj kësaj nisme nuk qëndrojnë.








