Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, lufta kundër ekonomisë joformale dhe krijimi i kushteve më të mira për bizneset mbeten ndër prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton. Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian, Durmishi ka bërë të ditur se kontrollet ndaj punëtorëve dhe bizneseve të paregjistruara janë rritur me mbi 20 për qind krahasuar me vitin 2024. Sipas tij, ky rezultat dëshmon angazhimin institucional për të luftuar punën e padeklaruar, për të garantuar mbrojtje më të madhe për punëtorët dhe për të krijuar konkurrencë të drejtë ndërmjet bizneseve. “Puna e padeklaruar i lë punëtorët pa mbrojtjen që u takon dhe krijon konkurrencë të padrejtë për bizneset që i përmbushin detyrimet. Krahas procedurave më të lehta për angazhim të ligjshëm në punë, do të vazhdojmë edhe me kontrollet ndaj shkeljeve”, ka theksuar Durmishi. Një tjetër zhvillim pozitiv i evidentuar në Raportin e Komisionit Evropian është ngushtimi i dallimit në paga mes grave dhe burrave, nga 14,5 në 12,3 për qind. Ky tregues paraqet një hap pozitiv drejt barazisë më të madhe në tregun e punës. Durmishi ka vënë në pah edhe progresin në fushën e standardizimit, ku Instituti i Standardizimit ka adoptuar gjithsej 25.230 standarde evropiane, që përbëjnë mbi 99 për qind të standardeve CEN/CENELEC. Zbatimi i këtyre standardeve u mundëson kompanive vendore të përmbushin kërkesat e tregut evropian, të përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tyre. Ministri Durmishi ka ritheksuar se Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë me masa konkrete për mbrojtjen e punëtorëve, mbështetjen e bizneseve dhe përafrimin me standardet evropiane. “Vazhdojmë pa u ndalur, meqë ia vlen çdo angazhim në shërbim të qytetarëve”, ka përfunduar Durmishi.








