Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendim për formimin e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, me qëllim forcimin e sigurisë së gazetarëve, parandalimin e kërcënimeve dhe sulmeve, si dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, në konferencën e sotme për media bëri të ditur se Komiteti do të koordinojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave mediatike, si dhe do të hartojë Planin Nacional për Veprim deri më 15 dhjetor 2026.
Plani do të përfshijë katër fusha kryesore: parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen penale të kryerësve dhe edukimin e publikut.
Miteva theksoi se siguria e gazetarëve duhet të jetë përgjegjësi e vazhdueshme institucionale, duke nënvizuar se mbrojtja duhet të jetë e barabartë për të gjithë gazetarët, pa selektivitet dhe pa dallime.
„Gazetarët kanë të drejtë të bëjnë pyetje, ndërsa institucionet kanë obligim të përgjigjen“, deklaroi Miteva, duke theksuar rëndësinë e transparencës, dialogut profesional dhe respektimit të lirisë së shprehjes.








