Ylli i BLACKPINK, Jennie, dhe muzikanti Kevin Parker, i njohur si lider i grupit Tame Impala, kanë folur për përvojat e tyre profesionale me Dua Lipën, duke vlerësuar energjinë, pasionin dhe përkushtimin e këngëtares shqiptare.
Në një bisedë për rubrikën “Musicians on Musicians” të revistës Rolling Stone, të publikuar të martën, më 13 tetor, Jennie dhe Parker ndanë përshtypjet e tyre për bashkëpunimet me këngëtaren britanike me origjinë shqiptare.
Jennie kujtoi përvojën e realizimit të këngës “Handlebars” me Dua Lipën në vitin 2025, duke thënë se bashkëpunimi nuk i ishte dukur aspak si punë, por më shumë si një ditë e kaluar së bashku në Nju-Jork.
“Vërtet dukej sikur po kalonim një ditë së bashku. Shkëmbenim mesazhe sikur po përpiqeshim të gjenim një datë për t’u takuar”, tregoi Jennie.
Edhe Kevin Parker, i cili ka bashkëpunuar me Dua Lipën në albumin e saj “Radical Optimism”, e përshkroi atë si një artiste me energji të jashtëzakonshme dhe me një ritëm të pandalshëm pune.
“Ajo është personi tjetër që njoh dhe që nuk mund të rrijë në vend, që është gjithmonë duke bërë diçka”, tha Parker, duke e krahasuar energjinë e këngëtares me atë të Jennie.
Ai vuri në dukje se Dua Lipa arrin të ndërthurë karrierën muzikore me projekte të tjera, përfshirë klubin e leximit dhe podkastin e saj, pa e humbur lehtësinë në mënyrën se si i menaxhon angazhimet.
Sipas Parkerit, këngëtarja mund të largohet përkohësisht nga një seancë incizimi për të zhvilluar një intervistë për podkastin e saj dhe më pas të kthehet për të vazhduar punën në studio.
Jennie e vlerësoi këtë mënyrë të të vepruarit, duke theksuar se energjia e Dua Lipës buron nga dashuria dhe pasioni për atë që bën.
“Ajo ka energji dhe i bën të gjitha me dashuri dhe pasion. Është shumë frymëzuese”, u shpreh Jennie.
Dy artistët kanë edhe një bashkëpunim të përbashkët muzikor. Në shkurt, Jennie iu bashkua Parkerit në një version të ri të këngës “Dracula” të Tame Impala, i cili arriti në vendin e pestë në tabelën amerikane Billboard Hot 100, duke u bërë një nga sukseset më të mëdha të këngëtares si artiste solo.
Gjatë bisedës, Jennie foli edhe për dallimet mes turneve me grupin BLACKPINK dhe performancave të saj individuale, duke shpjeguar se puna në grup kërkon më shumë komunikim dhe koordinim, ndërsa karriera solo i mundëson të menaxhojë drejtpërdrejt aspektet e veta artistike.
Biseda vjen në një periudhë të re për karrierën solo të Jennie, pas publikimit të EP-së “FALLEN ANGEL” në gusht./KultPlus.com








