Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kritikuar ashpër deputetin e së Majtës, Dimitar Apasiev, gjatë seancës së sotme parlamentare, duke e akuzuar për shpifje dhe deklarata të pavërteta nga foltorja e Kuvendit.
Mickoski e sfidoi Apasievin që pretendimet e tij t’i përsërisë publikisht para mediave, duke paralajmëruar se është i gatshëm që çështja të zgjidhet në gjykatë.
“Ju ftoj, si një burrë i guximshëm, që nuk jeni, e jo si një frikacak i zakonshëm, të dilni dhe t’i thoni edhe para mediave ato që i thatë sot në Kuvend. Pastaj do të takohemi në arenën ku ju jeni më i fortë, në gjykatë, dhe do të duhet t’i dëshmoni ato që keni thënë”, deklaroi Mickoski.
Duke iu përgjigjur akuzave të Apasievit lidhur me Jordanço Janevin, Mickoski konfirmoi se ai është baxhanaku i tij, pasi bashkëshortja e Janevit është motra e bashkëshortes së kryeministrit.
Ai pretendoi se informacionet për shtetësinë dhe pasaportën bullgare të Janevit janë të pasakta, duke thënë se ai posedon pasaportë bullgare që nga viti 2003 dhe jo nga viti 2017, siç ishte përmendur nga Apasievi.
Sipas Mickoskit, Janev vjen nga një familje që ka përjetuar vështirësi ekonomike gjatë tranzicionit dhe më pas ka zhvilluar biznesin e tij privat për më shumë se 25 vjet.
“Çfarë është mëkat nëse njerëzit fitojnë para jashtë vendit dhe i sjellin ato në Maqedoni për t’i shpenzuar këtu, në vend që t’i nxjerrin paratë jashtë ose të pushojnë në hotele të shtrenjta në bregdetin e Egjeut dhe të bëjnë shopping në Selanik, siç ju pëlqen juve?”, tha Mickoski, duke iu drejtuar Apasievit.
Kryeministri e akuzoi gjithashtu deputetin se përdor foltoren parlamentare për të përhapur shpifje dhe për të sulmuar persona të tjerë, ndërsa kritikoi edhe deklaratat që, sipas tij, kanë cenuar festën e shenjtorëve të Tiveriopolit, e cila shënohet si festë e qytetit të Strumicës.
Mickoski foli edhe për financimin e VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se partia ka mijëra donatorë, anëtarë dhe simpatizantë që e mbështesin financiarisht. Në të njëjtën kohë, ai akuzoi kundërshtarët politikë se marrin honorare dhe mëditje nga partia, të cilat më pas i investojnë në lokale gastronomike dhe klube nate për të përfituar financiarisht.
Përplasja mes Mickoskit dhe Apasievit vjen në kuadër të debatit të sotëm parlamentar, ku kryeministri kërkoi që akuzat të bëhen publikisht dhe të mbështeten me prova, duke e zhvendosur përplasjen politike edhe në terrenin e përgjegjësisë ligjore.
Mickoski i përgjigjet Apasievit për bizneset, donacionet dhe shpenzimet personale








