Rriten tensionet mes Kievit dhe Moskës

Advertisement

Presidenti i Ukrainës Vlladimir Zelenski, deklaroi se hapësira ajrore e Rusisë “de facto do të mbyllet” për shkak të rritjes së rrezikut nga dronët ukrainas. Ai u bëri thirrje kompanive ajrore dhe atyre të sigurimeve që ta marrin parasysh këtë rrezik.

“Ukraina nuk e rrezikon aviacionin civil, por transportuesit që fluturojnë drejt Moskës, Shën Petersburgut apo qendrave të tjera të mëdha duhet të marrin parasysh rrezikun nga dronët. Qielli rus de facto do të jetë i mbyllur”, deklaroi Zelenski.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi deklaratën e liderit ukrainas si paralajmërim të drejtpërdrejtë për terrorizëm shtetëror dhe kërcënoi me një përgjigje të ashpër ushtarake.

Putin tha se Ukraina më herët kishte paralajmëruar sulme ndaj ekonomisë ruse dhe paralajmëroi se Moska do të kundërpërgjigjet nëse Zelenski i realizon kërcënimet.

“Nëse dikush përpiqet të na tërheqë në zinxhirin ushqimor dhe të na gëlltisë, mund të marrë edhe një grusht”, tha Putin, duke shtuar se forcat e armatosura ruse kanë marrë udhëzime për të përgatitur dhe nisur sulme masive ndaj objekteve energjetike në Ukrainë.

Ndërkohë, Kievi ka bërë thirrje për një “strategji vendimtare” për përballimin e kërcënimeve ruse në Evropë.

Nga Brukseli është përcjellë mesazhi se sulmet hibride nuk do të mbeten pa përgjigje. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian do të ruajë unitetin përballë këtyre veprimeve.

“Do ta mbajmë Bashkimin Evropian të bashkuar, pavarësisht këtyre veprimeve serioze dhe përshkallëzuese. Sulmet hibride nuk do të mbeten pa një përgjigje të qartë”, deklaroi von der Leyen.

Ndërkohë, vazhduan sulmet e ndërsjella mes Kievit dhe Moskës, ndërsa Rusia intensifikoi sulmet ajrore ndaj objektivave në Ukrainë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit