Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti i Kirgizistanit, Sadyr Japarov, zhvilluan të hënën bisedime në Pallatin e Harmonisë në Bishkek.
Gjatë takimit, Xi Jinping theksoi nevojën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit pragmatik mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare.
Ai kërkoi që të zgjerohet tregtia digjitale dhe biznesi elektronik ndërkufitar, si dhe të përshpejtohet ndërtimi i hekurudhës Kinë–Kirgizistan–Uzbekistan, të cilën e cilësoi si një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e rajonit.
Xi përmendi gjithashtu rritjen e bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme, industrinë minerare, riciklimin e burimeve dhe zhvillimin e zinxhirëve industrialë.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi në teknologji. Presidenti kinez bëri thirrje për krijimin e laboratorëve të përbashkët në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në inteligjencën artificiale dhe inovacionin shkencor.
Sa i përket sigurisë, Xi theksoi nevojën për bashkëpunim më të madh në luftën kundër separatizmit, terrorizmit, ekstremizmit, trafikut të drogës dhe krimit ndërkufitar.
Si vende themeluese të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Kina dhe Kirgizistani, sipas Xi-së, duhet të punojnë për zbatimin e rezultateve të Samitit të Tianjin-it dhe për avancimin e zhvillimit të përbashkët të rajonit.






