Shqipëria importon rekord karburantesh, ndërsa nafta arrin 201 lekë për litër

Advertisement

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve pas krizës së shkaktuar nga bllokimi i ngushticës së Hormuzit, Shqipëria ka shënuar një tjetër rekord në importet e naftës.

Vetëm gjatë muajit korrik, vendi importoi rreth 76 mijë tonë karburant, rreth 5 mijë tonë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sasia e importuar në korrik është më e lartë edhe krahasuar me muajt janar dhe shkurt, kur konflikti ende nuk kishte nisur dhe nafta në tregun vendas kushtonte rreth 173-175 lekë për litër.

Që nga fillimi i vitit, importet e karburanteve kanë arritur në rreth 408 mijë tonë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Krahasuar me vitet 2022 dhe 2023, volumi është rritur me rreth 100 mijë tonë.

Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës bruto është rritur ndjeshëm. Nga më pak se 72 dollarë për fuçi në fund të korrikut, çmimi tashmë ka kaluar mbi 90 dollarë.

Kjo rritje është reflektuar edhe në tregun shqiptar. Nafta në pikat e karburantit ka arritur deri në 201 lekë për litër, nga 176 lekë pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës.

Edhe benzina është shtrenjtuar ndjeshëm, duke arritur deri në 205 lekë për litër, ndërsa rreth një muaj më parë shitej me rreth 166 lekë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit