Rezervat e arit në pronësi të qytetarëve gjermanë kanë arritur një rekord të ri, me vlerë totale që ka kaluar një trilion euro. Megjithatë, nga aspekti tatimor ekzistojnë dallime të rëndësishme nëse investitorët zotërojnë shufra ari, bizhuteri apo produkte financiare të lidhura me arin, raportojnë mediat gjermane.
Sipas studimit “Investimet në ar 2026”, të porositur nga “Reisebank” dhe të publikuar nga mediat gjermane, investitorët privatë në Gjermani zotërojnë pothuajse 10.000 tonë ar fizik.
Kur kësaj sasie i shtohen edhe bizhuteritë dhe letrat me vlerë të mbështetura me ar, vlera totale e këtyre rezervave në mars arriti në rreth 1,4 trilion euro.
Sipas studimit, familjet gjermane zotërojnë 9.173 tonë ar fizik, 139 tonë më shumë krahasuar me vitin 2024.
Nga sasia totale, 5.464 tonë mbahen në formën e shufrave dhe monedhave të arit, ndërsa 3.709 tonë të tjera janë në formën e bizhuterive.
Ari tashmë përbën 6,1 për qind të pasurisë private të familjeve gjermane. Në vitin 2024, pjesëmarrja e arit në pasurinë private ishte 2,8 për qind.
Studimi tregon se pesha e arit në pasurinë private është rritur ndjeshëm gjatë periudhës 2024–2026.
Për këtë arsye, mediat gjermane paralajmërojnë se investitorët që blejnë shufra ose monedha ari duhet të jenë të informuar mirë për rregullat që vlejnë gjatë blerjes, por edhe për shitjen e tyre më vonë.
Nga pikëpamja tatimore, trajtimi mund të ndryshojë në varësi të formës së investimit, ndaj investitorët duhet të kenë parasysh rregullat përkatëse para se të blejnë ose shesin ar.






