Gjilani dhe Dukagjini kanë ndarë pikët në xhiron e tretë të Superligës së Kosovës, pasi të shtunën kanë barazuar me rezultat 2:2.
Gjilani e ka nisur më mirë takimin dhe ka kaluar në epërsi në minutën e nëntë, kur Blerind Morina ka shënuar një supergol nga goditja e dënimit për 1:0.
Dukagjini ka reaguar shpejt dhe në minutën e 20-të Mërgim Pefqeli ka barazuar rezultatin në 1:1.
Skuadra nga Gjilani e ka rikthyer epërsinë në minutën e 38-të përmes Arbër Potokut, i cili ka shënuar për 2:1.
Megjithatë, Dukagjini ka vazhduar të kërkojë golin e barazimit dhe në minutën e 54-t ka arritur të shënojë për 2:2. Dienit Isufi ka qenë realizuesi i golit për ekipin nga Klina.
Deri në fund, të dyja skuadrat kanë pasur mundësi për të shënuar, por rezultati nuk ka ndryshuar dhe ndeshja është mbyllur me nga një pikë për secilën skuadër.
Për Gjilanin ky ishte barazimi i parë i sezonit, pas dy fitoreve në dy xhirot e para, ndërsa Dukagjini ka regjistruar barazimin e dytë në tri ndeshje, krahas një fitoreje.






