Tre zjarre aktive në Tetovë, Ameti: Zjarrfikësit përballen me disa vatra njëkohësisht

Advertisement

Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë aktualisht po përballet me tre zjarre aktive në ambiente të hapura. Vatrat e zjarrit janë regjistruar në fshatin Leshnicë, në Pallaticë dhe përgjatë rrugës rajonale mes fshatrave Strimnicë dhe Çellopek.

Informacioni është bërë i ditur nga Avni Ameti përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ai ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, sidomos gjatë temperaturave të larta.

Ameti ka theksuar se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për kujdes, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre që dyshohet se shkaktohen nga pakujdesia e individëve.

“Ne kemi forcën, guximin dhe përkushtimin për t’u përballur me çdo vatër zjarri. Do të jemi gjithmonë në terren dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i bërë banorët të ndihen të sigurt”, ka shkruar Ameti.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se jeta e zjarrfikësve nuk duhet të rrezikohet për shkak të pakujdesisë së personave të tjerë.

Në fund, Ameti ka përsëritur thirrjen për më shumë përgjegjësi nga qytetarët, me qëllim parandalimin dhe përhapjen e zjarreve në këtë periudhë me temperatura të larta.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit