Policisë së Shtetit i bashkohen 387 të rinj e të reja, Lamallari: Uniforma sjell përgjegjësi, jo privilegje

Advertisement

387 të rinj e të reja kanë përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme në Policinë e Shtetit, në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë.

Në ceremoninë e përfundimit të kursit mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili theksoi se përfundimi i formimit policor shënon fillimin e një përgjegjësie të re në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

“387 të rinj e të reja të këtij kursi kanë tashmë jo vetëm njohuritë profesionale, por janë të përgatitur për realitetin e një prej profesioneve më të vështira dhe më fisnike në shërbim të vendit”, u shpreh Lamallari.

Ministri nënvizoi rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe besimit të qytetarëve, duke theksuar se uniforma e policisë përfaqëson përgjegjësi dhe jo privilegj.

Ai tha se Policia e Shtetit duhet të vijojë të modernizohet dhe të fokusohet jo vetëm në reagimin ndaj krimit, por edhe në parandalimin e tij.

Lamallari theksoi gjithashtu se Akademia e Sigurisë është një nga pikat kryesore të procesit të modernizimit të Policisë së Shtetit, përmes formimit profesional, disiplinës dhe përdorimit të teknologjisë.

Në ceremoni foli edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili u kërkoi punonjësve të rinj që në detyrën e tyre të udhëhiqen nga ligji, shërbimi ndaj qytetarëve dhe përgjegjësia ndaj vendit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit