Spiuni i Serbisë Fatmir Sheholli, në komunikime del edhe një person nga Maqedonia

Advertisement

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj analistit Fatmir Sheholli, duke e ngarkuar me veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA) dhe përmes komunikimeve telefonike ka ndarë informacione lidhur me zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në dosjen e Prokurorisë, e cila përmban rreth 80 faqe, përmendet edhe një dokument me mbishkrimin “Top sekret 2”, ku pretendohet se paraqitej një plan për përhapjen e radikalizmit fetar në Kosovë dhe rajon.

Sipas aktakuzës, komunikimet e Shehollit nuk janë kufizuar vetëm në Kosovë dhe Serbi. Në telefonin e tij është gjetur edhe një komunikim me një person të regjistruar si “Viktor Makedonia”, përmes të cilit, sipas Prokurorisë, është tentuar që ndikimi serb të shtrihet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Prokuroria pretendon se qëllimi ka qenë krijimi i një narrative negative për shqiptarët në sytë e faktorit ndërkombëtar, si dhe nxitja e migrimit përmes aktiviteteve fetare, politike dhe mediatike.

Në aktakuzë thuhet se Sheholli ka vepruar nën urdhrat e Bojan Dimiqit, i identifikuar si zyrtar i lartë i BIA-s. Po ashtu, pretendohet se në shtator të vitit 2025 Sheholli është drejtuar në Mitrovicën e Veriut për të marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në këmbim të 5 mijë eurove.

Rastin e ka komentuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili tha se Kosova gjatë viteve të fundit ka intensifikuar luftën kundër rrjeteve të tilla.

“Qëllimi i këtyre është shumë i keq, tentojnë me destabilizu Kosovën, e performojnë një luftë hibride dhe speciale kundër personaliteteve të caktuara, kundër qeverisë, kundër kryeministrit Kurti. Domethënë qëllimi i tyre është ky”, deklaroi Konjufca.

Sheholli akuzohet gjithashtu për shantazh ndaj Arben Jetullahut. Sipas aktakuzës, ai i kishte kërkuar para në formë huazimi dhe më pas e kishte kërcënuar me publikimin e videove dhe informacioneve që, sipas Prokurorisë, do t’i dëmtonin reputacionin dhe autoritetin.

Aktakuza është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në deklarimet e tij të para, Sheholli ka pranuar se ka bashkëpunuar me BIA-n serbe, por ka mohuar se këtë bashkëpunim e ka bërë me qëllim spiunazhi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit