Me rastin e Ditës së Minatorëve, ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska, ka bërë të ditur të dhënat për sektorin minerar në Maqedoninë e Veriut.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 në vend janë prodhuar 130.174 tonë koncentrat bakri, plumbi dhe zinku. Sektori minerar ka marrë pjesë me 10,9 për qind në prodhimin industrial dhe me 2,8 për qind në eksportin e përgjithshëm të vendit.
Bozhinovska njoftoi gjithashtu se të ardhurat nga taksat koncesionare kanë arritur në mbi 1,22 miliardë denarë, që paraqet nivelin më të lartë të arkëtimit deri më tani. Sipas saj, trendi pozitiv ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026.
“Këto rezultate janë produkt i sistemit të përmirësuar të arkëtimit, mbikëqyrjes institucionale të forcuar, kontrolleve më të shpeshta dhe qasjes më të përgjegjshme ndaj përdorimit të burimeve natyrore”, deklaroi Bozhinovska, duke theksuar se siguria e punëtorëve duhet të mbetet prioritet.
Kryetari i Shoqatës së Minierave, Dime Petreski, vlerësoi rëndësinë e sektorit minerar për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit, duke theksuar nevojën për krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Teknike në Universitetin “Goce Dellçev”, prof. Gjorgji Dimov, bëri të ditur se vitin e ardhshëm shënohen 50 vjet të arsimit të lartë në fushën e minierave dhe gjeologjisë. Ai theksoi se sektori po përballet me ndryshime të rëndësishme përmes digjitalizimit, automatizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Katerina Novakova, nga sektori minerar në Makedonska Kamenica, foli për rëndësinë e përfshirjes më të madhe të grave në këtë industri, duke theksuar se suksesi i një miniere nuk matet vetëm me prodhimin, por edhe me sigurinë, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimet për komunitetin.
Minatori me përvojë, Ljube Kolev, vuri në dukje përmirësimet në mekanizimin dhe organizimin e punës, si dhe në standardet e sigurisë.
Bashkëpunëtori shkencor në MANU, Aleksandar Dedinec, theksoi rolin e sektorit minerar në procesin e dekarbonizimit dhe tranzicionit të gjelbër. Sipas tij, kërkesa për lëndë të para minerale pritet të rritet me zhvillimin e energjisë së rinovueshme, baterive dhe automjeteve elektrike.
Në fund të aktivitetit, ministrja Bozhinovska ndau mirënjohje për minatorët më të suksesshëm dhe profesionistët e sektorit, duke theksuar rëndësinë e industrisë minerare për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.






