Zjarri në Kitkë mbetet aktiv, autoritetet dyshojnë se është shkaktuar qëllimisht

Advertisement

Zjarri që përfshiu fshatin Bojanë, pasi kishte ardhur nga ana e Tetovës, është vënë plotësisht nën kontroll, ndërsa një vatër zjarri vazhdon të jetë aktive në malin e Kitkës, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza.

Nga QMK bëjnë të ditur se për shuarjen e zjarrit janë angazhuar të gjitha resurset në dispozicion, përfshirë tre avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipet e zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Pyjet Nacionale dhe ekipe shtesë në terren.

“Zjarri që ishte dje në fshatin Bojanë erdhi nga pjesa e Tetovës. Dje zjarri është shuar plotësisht. Kurse zjarri në Kitkë vazhdon të jetë aktiv. Sot kemi angazhuar të gjitha resurset shtetërore dhe besojmë se sot zjarri do të vihet nën kontroll”, deklaroi Muhamed Ali nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Zjarri në Kitkë është aktiv prej rreth dy javësh, ndërsa autoritetet dyshojnë se disa nga vatrat mund të jenë shkaktuar qëllimisht. Sipas QMK-së, në disa zona zjarri është shuar, por më pas është shfaqur përsëri në vende të tjera.

Për monitorimin e situatës janë angazhuar edhe ekipe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa policia po qëndron në terren gjatë gjithë kohës. Deri tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastin.

Në përgjithësi, situata me zjarret në vend vlerësohet si stabile, me përjashtim të zonës mbi fshatrat e Karshiakës, ku ekipet vazhdojnë të jenë të pranishme në terren.

Ndërkohë, zjarri në zonën e Bojanës dje shkaktoi një re të madhe tymi mbi Shkup, duke ndikuar edhe në cilësinë e ajrit në kryeqytet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit