Zjarri në afërsi të fshatit Nikushtak të Komunës së Likovës vazhdon të jetë aktiv, ndërsa ekipet në terren po punojnë për lokalizimin dhe shuarjen e tij.
Në terren ndodhet edhe kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, i cili po koordinon nga afër aktivitetet për përballimin e situatës.
Në intervenim janë përfshirë ekipet e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit të Kumanovës me tri automjete kundër zjarrit, ekipet e Pyjeve Nacionale, pjesëtarë të policisë, përfaqësues të Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe banorë të fshatrave përreth.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, në varësi të kushteve meteorologjike, gjatë ditës mund të realizohet edhe ndërhyrje nga ajri për të ndihmuar në lokalizimin e zjarrit.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, ka bërë të ditur se aktivitetet në terren po koordinohen drejtpërdrejt dhe ekipet vazhdojnë angazhimin për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, në raportin e mëngjesit ka deklaruar se zjarri në territorin e Nikushtakut është jashtë kontrollit.
Sipas Angelovit, gjatë ditës së djeshme në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë edhe avionët “Air Tractor”, të cilët kanë hedhur gjithsej 81 tonë ujë.
Të gjitha ekipet vazhdojnë punën në terren me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe mbrojtjes së banorëve dhe pronave të tyre.






