Përfundoi epidemia në Gostivar, Klekovski: Nuk ka më raste të problemeve me stomakun nga uji

Advertisement

Pas më shumë se një muaji, autoritetet shëndetësore kanë hequr gjendjen e epidemisë në Gostivar, e cila ishte shpallur pas problemeve me ujin e pijshëm në rrjetin e ujësjellësit.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se aktualisht nuk ka raste të reja të infeksioneve të lidhura me ujin e pijshëm.

“Sot Qendra për Shëndet Publik Tetovë vendosi ta ndërpresë gjendjen e epidemisë në Gostivar. Sipas të dhënave epidemiologjike, nuk ka më raste të gastroenterokolitit, enterokolitit apo problemeve të stomakut të lidhura me ujin e pijshëm”, deklaroi Klekovski.

Ministri sqaroi se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur pacientë të hospitalizuar për shkak të ujit të ndotur, ndërsa qëndrimet 24-orëshe në institucionet shëndetësore nuk konsiderohen si hospitalizim. Ai shtoi se deri tani nuk është evidentuar asnjë rast i hepatitit të lidhur me ujin e ndotur, ndërsa gjendja vazhdon të monitorohet.

Epidemia në Gostivar u shpall më 19 korrik, pasi më shumë se 1.000 qytetarë raportuan probleme gastrointestinale. Për shkak të ndotjes së dyshuar, uji nga rrjeti i qytetit u ndalua për konsum, ndërsa analizat e mëvonshme konfirmuan praninë e baktereve fekale.

Pas procedurave për pastrimin dhe dezinfektimin e sistemit, javën e kaluar u hoq edhe ndalimi për përdorimin e ujit të ujësjellësit për pije. Për të dëshmuar se uji është i sigurt për konsum, drejtues të institucioneve të përfshira në procesin e pastrimit pinë ujë nga çezma e qytetit para kamerave.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit