Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka reaguar ndaj paralajmërimit të Qeverisë për formimin e një “shporte” të re, duke vlerësuar se kjo masë nuk do të sjellë ndihmë të mjaftueshme për qytetarët.
Filipçe tha se, bazuar në përvojat e deritanishme, nuk pret rezultate të rëndësishme nga masa e paralajmëruar dhe e cilësoi atë si një masë që, sipas tij, është më shumë e karakterit promovues.
“Për këtë që po përmendet si shportë, nuk pres asgjë, sepse mendoj se përsëri është vetëm një truk PR. Do të paralajmërojnë diçka dhe në fund nuk do të ketë asgjë”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se qytetarët përballen me shpenzime të larta për jetesë, duke përmendur pagën minimale prej rreth 26 mijë denarësh dhe shportën minimale që, sipas tij, ka arritur në afro 70 mijë denarë.
Filipçe shtoi se rritja e çmimeve të energjisë elektrike, ngrohjes dhe shpenzimeve të tjera, përfshirë qiranë ose kreditë për banesa, po e vështirëson situatën financiare të familjeve.
Sipas tij, nevojiten masa më konkrete ekonomike për të mbështetur qytetarët dhe për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.






