Izraeli nuk ka dhënë miratimin për hyrjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës, ka njoftuar zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Deklarata vjen pas raportimeve të mediave izraelite se kabineti i sigurisë kishte vendosur të lejonte që një pjesë e kësaj force të fillonte operacionet në një zonë të kufizuar të Gazës.
Raportimet për një vendim të tillë u publikuan pak para vizitës së Netanyahut te presidenti amerikan Donald Trump në fund të korrikut.
Krijimi i një force shumëkombëshe paqeruajtëse ishte propozuar nga Trump si pjesë e planit të tij për vendosjen e një rendi të ri pas luftës në Gaza.
Ndërkohë, edhe pse një armëpushim është në fuqi që nga tetori 2025, sulmet vdekjeprurëse në Gaza kanë vazhduar. Izraeli së fundmi ka intensifikuar sulmet ajrore, duke deklaruar se objektiv kanë qenë edhe drejtues të lartë të Hamasit.
Netanyahu deri tani ka refuzuar planin e hartuar nga “Bordi i Paqes”, i krijuar nga Trump, për administrimin e Gazës pas luftës dhe çarmatimin e Hamasit.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes lidhet me mënyrën e trajtimit të armëve të Hamasit. Sipas planit, armët e dorëzuara do të ruheshin, por do të mbeteshin nën kontrollin palestinez.
Izraeli kërkon që armët të largohen plotësisht nga Rripi i Gazës, duke argumentuar se ekziston rreziku që ato të rikthehen në duart e Hamasit.
“Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të ketë rindërtim në Rripin e Gazës para çarmatimit të plotë të Hamasit”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut.






