Kriza me cilësinë e ujit të pijshëm po zgjerohet përtej Gostivarit, ndërsa përplasja politike mes pushtetit dhe opozitës po ashpërsohet. LSDM-ja akuzon Qeverinë se në vend të analizave laboratorike dhe raporteve zyrtare, qytetarëve po u ofron „dolli para kamerave“.
LSDM-ja përmes një komunikate ka kritikuar mënyrën se si Qeveria po përballet me problemet me cilësinë e ujit të pijshëm. Nga partia opozitare thonë se pikërisht në ditën kur u njoftua se uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë, nga Demir Kapia erdhi një paralajmërim i ri për ujë të pasigurt.
Sipas LSDM-së, Ndërmarrja Publike Komunale “Boshava“ nga Demir Kapia ka njoftuar se uji nga sistemi i tyre i ujësjellësit nuk është i sigurt as për pirje dhe as për gatim. Opozita e ka drejtuar kritikën edhe ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë, duke i akuzuar për mungesë gjatë krizës me ujin në Gostivar. “Dje në Gostivar organizuan dolli dhe fotografi grupore me gota uji. Turp. Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë nuk ishin aty. Nga ekskursioni ‘lëshonin’ ujë“, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia pretendojnë se Mickoski nuk është paraqitur asnjëherë në Gostivar që nga fillimi i krizës me ujin dhe situatën epidemiologjike në qytet.
LSDM-ja pretendon gjithashtu se problemi me cilësinë e ujit nuk kufizohet vetëm në Gostivar dhe Demir Kapi. Sipas tyre, në më shumë se 50 qytete nuk ka analiza të rregullta dhe publikisht të qasshme për cilësinë e ujit, ndërsa ekzistojnë edhe dyshime për ujëra të parregullta dhe ndotje në katër lumenj. “Në vend të raporteve zyrtare, analizave laboratorike dhe kontrolleve të rregullta të cilësisë së ujit, ne kemi njerëz që pinë ujë nga çezma dhe mbi bazën e kësaj pretendojnë se uji është i pastër dhe i sigurt. Që kur kjo është bërë metodë për kontrollimin e rregullsisë së ujit?“, pyesin nga LSDM-ja.
Nga opozita kërkojnë përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe publikimin e dëshmive zyrtare për sigurinë e ujit, në vend të, siç thonë, sigurimeve të dhëna para kamerave. “Qytetarët kërkojnë përgjegjësi. Jo dolli“, porosisin nga LSDM-ja.






