Opozita pret që seanca konstituive në Kosovë të vazhdojë sot

Advertisement

Përfaqësues të tri partive që ishin dhe që janë zotuar sërish për të qenë në opozitë, kanë shprehur pritje që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Një ditë më parë, deputetë të Partisë Demokratike dhe të Aleancës kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së re, të mbahet nga ora 11:00. E Lidhja Demokratike pas qëndrimit për negociatat me Vetëvendosjen, ka thënë se më nuk ka arsye për vonim të konstituimit.

Deputetë të PDK-së dhe të Aleancës të enjten i kanë bërë ftesë publike kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë, e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Në një konferencë të përbashkët për media, me deputetin e Alencës, Besnik Tahiri, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se partia që i përket ka bërë kërkesë zyrtarë që kryesuesi Dehari ta ushtrojë detyrën dhe ta thërrasë seancën.

“Ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë Kushtetutën dhe ta thërret seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti, dhe të kemi normalitet”, ka thënë ai. “Gjithashtu edhe subjekteve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i kemi dërguar ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent”.

E deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se situata aktuale paraqet, sipas tij, emergjencë kombëtare, pasi ka thënë se ka tendencë për shkatërrimin e rendit kushtetues.

“Rrethana, të cilat jemi si Kosovë dhe rrethana në të cilat është sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, realisht tregojnë për një, jo vetëm emergjencë kombëtare, mirëpo për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues, dhe njëkohësisht të pamundësimit të ushtrimit të funksionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës, aty ku na ka dhënë besimin sovrani, aty ku ne kemi vendin bazë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ky deputet i Aleancës.

Ai ka paralajmëruar edhe veprime të tjera politike.

“Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, dhe kur ne e shohim që ka nisur shpërbërja e institucioneve demokratike që fillojnë nga Kuvendi, dhe rrjedhimisht shkatërrimi i të arriturave të vendit tonë, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugë fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq gjatë të enjtes, LDK-ja u tërhoq nga negociatat dhe kërkesat për marrëveshje me Vetëvendosjen. “Partneri i vetëm potencial” i VV-së pas zgjedhjeve të 7 qershorit njoftoi se ka hequr dorë nga të gjitha kërkesat për përfshirje në institucione – Qeveri, Kuvend a Presidencë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja kërkon vetëm që presidenti të jetë konsensual dhe jopartiak. Tërheqjen nga kërkesat ai e proklamoi me “nevojën për të shmangur krizën” dhe “pasigurinë juridike në të cilën është futur Kosova”.

Në konferencë ai ka thënë se më s’ka arsye për vonesa për konstituim.

“Nga ky moment, askush nuk ka më arsye, as alibi dhe as të drejtë ta vonojë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe nisjen e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të republikës. Jemi vonë. Të mos humbim më kohë”, ka thënë ai në një video-adresim në Facebook.

Deri tash, nuk ka pasur qëndrim zyrtar nga Vetëvendosje për ndryshimin e qëndrimit të LDK-së.

LDK-ja ishte e vetmja me të cilën negocioi Vetëvendosje për formim të institucioneve. Dy partitë tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, refuzuan takimet me Albin Kurtin.

LDK-ja në vazhdimësi ka bërë thirrje që të ketë “balancë pushtetesh” duke kërkuar postin e presidentit. Por Kurti e pati vlerësuar kërkesën si “diskrepancë të madhe” me rezultatin zgjedhor të LDK-së më 7 qershor. Partia e Abdixhikut i ka siguruar 18 ulëse në Kuvend, pasi sërish doli parti e tretë. Vetëvendosje ka fituar 53 ulëse.

Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

Deputetët e LVV-së, bashkë me ata të komuniteteve e pa përfshirë ligjvënësit e Listës Serbe, janë më shumë se 61, numër i mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit dhe për votimin e Qeverisë. Ndërkaq, për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë “barrikaduar” sërish hyrjen e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, e ka cilësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator”, duke thënë se ai nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të kryeministrit.

“Ne, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, jemi sërish këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë deputetit Albin Kurti se fillimisht në këtë zyrë, në këtë ndërtesë është uzurpator, për shkak se në këtë vend nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër. Prandaj çdo ditë, çdo vendim që e merr në këtë ndërtesë është i paligjshëm dhe sigurisht që do të trajtohet në organet e drejtësisë kurdo që të vjen mundësia për t’i trajtuar këto vendime të cilat po vazhdon me i marrë pa pasur drejtë të ushtrojë rolin e kryeministrit”, tha ai për Ekonomia Online.

Mustafa tha se deputetët duhet të jenë në Kuvend dhe kërkoi nga Kurti që, sipas tij, t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

“Deputetët e kanë vendin në Kuvend dhe aty duhet të jetë edhe deputeti Kurti për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, krijimit të institucioneve dhe kthimit të vendit në normalitet. Kjo situatë është e padurueshme. Shteti nuk mund të mbetet peng i asnjë politikani. Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit janë të qarta. Nuk mundet askush të vendosë se kur do t’i zbatojë e kur nuk do t’i zbatojë. Në atë ditë kur një politikan vendos se cilin rregull, cilin ligj, cilin nen të Kushtetutës do ta zbatojë e cilin nuk do ta zbatojë, mund të themi lirisht se vendi është në rrezik të madh për shkak se po rrëshqet drejt autokracisë. Dhe për atë arsye, ne jemi këtu në mbrojtje të shtetit, në mbrojtje të demokracisë dhe nuk do të ndalemi derisa ta kthejmë vendin në normalitet, në binarë kushtetues dhe t’i japim vendit institucionet të cilat do t’i adresojnë nevojat e mëdha që i ka vendi”, tha ai.

Mustafa tha se PDK-ja nuk ka menduar për “taktizime” lidhur me kandidatët për deputetë, duke akuzuar Kurtin se po “abuzon me Avni Deharin”.

“Shiko, ne nuk kemi menduar asnjëherë taktizime të tilla, për shkak se kur e hartojmë listën e kandidatëve për deputetë, hartojmë një listë e cila e përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetarin dhe pritet t’i shërbejë më së miri interesave të qytetarëve të Kosovës. Taktizimet e tilla bëjnë ata që kanë mentalitet dhe plan për të bllokuar institucionet, dhe kur jemi tek kjo pikë duhet pasur parasysh që Albin Kurti po abuzon me Avni Deharin”, tha ai.

Ai bëri të ditur se PDK-ja ka dërguar sërish kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive dhe se do të qëndrojë në Kuvend deri në përfundimin e procesit të konstituimit.

“Po, dje e kemi dërguar letrën e radhës, ftesën e radhës për ta organizuar mbledhjen konstituive, për ta vazhduar mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe sigurisht që ne jemi këtu dhe do të jemi tash në Kuvend në pritje të vazhdimit të kësaj mbledhje. Kemi pranuar përgjigje nga Aleanca, të cilët do të jenë me ne në pritje të vazhdimit të mbledhjes konstituive, dhe sigurisht që do të vazhdojmë me kërkesat dhe me prezencën tonë në Kuvend deri në konstituimin e plotë të Kuvendit dhe institucioneve, Kuvendit dhe trupave kryesuese të Kuvendit”, tha ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit